Paratë e konfiskuara nga arrestimet e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Foto: KALLXO.com

Dosja e Prorkurorisë: Për çka dyshohen 21 të arrestuarit në rastin 'Subvencioni'?

Dyshime të shumta për korrupsion dhe vepra të tjera penale janë të përfshira në dosjen e Prokurorisë së Prishtinës kundër 21 të arrestuarve në aferën tashmë të njohur si “Subvencionet 2021”.

Përpilimi i raporteve të rreme të kontrollit, shtimi i numrit të bagëtive dhe shtimi i numrit të bletëve kanë qenë disa nga metodat të cilat dyshohet se janë përdorur nga Inspektoret e AZHB-së për të marrë ryshfet.

Dosja voluminoze e Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon për dyshimet se si inspektorët e ministrisë kishin përpiluar raporte të rreme kontrolli të cilat në të vërtetë nuk ekzistonin.

Madje në një rast përshkruhet se si një inspektor i AZHB-së kishte konstatuar se një fermer kishte mbjellë grurë dhe misër në një zonë e cila në realitet ndodhej në pyll.

Përmes raporteve të rreme të përpiluara nga inspektoret e ministrisë, fermerë të ndryshëm pasi kishin dhënë ryshfet dyshohet se kishin përfituar subvencione në vlerë prej qindra e mijëra euro.

Mënyra më e shpeshtë e keqpërdorimit që dyshohet të jetë kryer në rritjen e numrit të sipërfaqes me të mbjella e cila në realitet ishte shumë herë më e vogël.

Përmes dhënies së ryshfetit për zyrtarë të AZHB-së, K.B dyshohet se kishte arritur që të përfitojë mbi 370 mijë euro subvencione.

Mbi 200 mijë euro përmes kësaj skeme dyshohet t’i ketë përfituar së bashku me bashkëshorten e vet fermeri B.Sh.

Njëjtë përfituan edhe fermerët H.K dhe F.M. Ata dyshohet se përmes kësaj skeme kishin arritur që të përfitonin secili mbi 100 mijë euro.

Kjo është vala e dytë e arrestimeve në rastin “subvencionet”. Në këtë rast nën pranga përfunduan Bejtulla Pira, Granit Abdyli, Valon Hoti, Enver Ibishi, Blerim Mulliqi, Kujtim Zariqi, Arsim Çela, Habibe Dauti, Musa Nivokazi, Lulzim Hajdaraj, Flamur Zeqiri, Blerim Asllani, Afrim Abazaj, Halil Krasniqi, Daut Kabashi, Bekim Shala, Salih Kelmendi, Gzim Morina, Kastriot Berisha, Fuat Morina dhe Kumrije Maxharraj.

Muaj më parë në një aksion të gjerë policor të udhëhequr nga prokurori Rafet Halimi ishin arrestuar zyrtarë të lartë të ministrisë së Bujqësisë.

Dosja e prokurorisë tregonte se si një pjesë e këtyre zyrtarëve po thurnin planet për të përfituar më shumë në të ardhmen.

Përveç 11 persona të arrestuar muaj më parë ishin sekuestruar edhe shuma të majme të parave që tejkalonin 600 mijë euro.

Një pjesë e këtyre parave sipas prokurorisë ishin gjetur në shtëpinë e vëllait të Luan Statovcit në Batllavë të Podujevës.

KALLXO.com e ka siguruar dosjen e prokurorisë së Prishtinës ku shfaqën edhe planet e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë për të marrë ryshfet gjatë vitit 2021.

Në dosjen të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se në zyrën e Statovcit përpos që është diskutuar për marrjen e ryshfetit nga aplikuesi V.K, janë thurur edhe plane për të marrë ryshfet gjatë vitit 2021.

Madje sipas Prokurorisë të dyshuarit Berat Nika dhe Hasan Maxharraj janë dëgjuar tek bëjnë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25 mijë eurove për aplikues.

Përpos Luan dhe Salih Statovcit të arrestuar deri më tani janë edhe zyrtari i pagesave direkte, Sadat Shkodra, zyrtari për zhvillimin e bujqësisë në Istog, Hasan Maxharraj, zyrtari i pagesave në AZHB Berat Nika, zyrtari për politika në Istog Kushtrim Zogaj dhe inspektorja e AZHB-së Adushe Ukshini.

Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të fuqishme në këtë rast duke përfshirë  fotografi dhe incizime të momenteve të dorëzimit të parave.

Pos tjerash, Prokuroria pretendon se ka arritur të sigurojë prova ku shihet se Adushe Ukshini e cila është inspektore në AZHB ka pranuar shuma të ndryshme si ryshfet dhe të njëjtat shihet duke ia dërguar drejtorit Luan Statovci dhe duke i ndarë mes vete.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.