Dosja e Prokurorisë: Planet e të dyshuarve që më 2021 të marrin nga 25 mijë euro për një aplikues
Thurje e planeve për të përfituar para në emër të subvencioneve dyshohet të jenë bërë në zyrën e përgjuar të Drejtorit të Pagesave Direkte, Luan Statovcit.
Dosja e Prokurorisë përmend se nga përgjimet në zyrat e Agjencionit për Zhvillim në Prishtinë janë dëgjuar të dyshuarit duke biseduar dhe planifikuar se si në të ardhmen të planifikojnë projekte dhe merren vesh se si t’i përfitojnë shumat deri në 150 mijë euro për një projekt.
Madje sipas Prokurorisë të dyshuarit Berat Nika dhe Hasan Maxharraj janë dëgjuar tek bëjnë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25 mijë eurove për aplikues.
Përpos tyre në këtë rast dyshohen edhe Sadat Shkodra, Salih Statovci, Kushtrim Zogaj, Adushe Ukshini, Driton Alaj, Pajtim Krasniqi, Shpejtim Krasniqi dhe Kastriote Sejdiu.
Të njëjtit u vunë nën pranga pasi sipas Prokurorisë ka prova të mjaftueshme të siguruara përmes fotografive, përgjimeve telefonike dhe incizimeve të cilat e argumentojnë dyshimin e Prokurorisë se kanë kryer veprime kriminale.
Në këtë dosje të Prokurorisë janë përshkruar një nga një shumat të cila dyshohet se personat në fjalë i kanë marrë e që sipas prokurorisë janë zbuluar gjatë përgjimeve telefonike.
Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të fuqishme në këtë rast madje ka siguruar fotografi dhe incizime të momenteve të dorëzimit të parave.
Në përgjimet e Prokurorisë thuhet se të dyshuarit Berat Nika dhe Luan Statovci dëgjohen duke biseduar me një fermer që dyshohet se u ka dhënë ryshfet.
Pos tjerash Prokuroria pretendon se ka arritur të sigurojl prova ku shihet se Adushe Ukshini e cila është inspektore në AZHB ka pranuar shuma të ndryshme si ryshfet dhe të njëjtat shihet duke ia dërguar drejtorit Luan Statovci dhe duke i ndarë me vete.
Aktualisht njëmbëdhjetë të arrestuarit e këtij rasti janë paraqitur para gjykatës dhe po përballën me kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
Dy ditë më parë ata u arrestuan gjatë një aksioni të madh policor në disa lokacione duke përfshirë edhe Ministrinë e Bujqësisë.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.
Bastisje të mëdha u zhvilluan edhe gjatë ditës së djeshme në disa qytete të Kosovës ku cak ishin bujq të ndryshëm të cilët kishin përfituar subvencione.
Gjatë këtij aksioni u arrestuan edhe nëntë persona.
Prokuroria: Të dyshuarit për ryshfet me subvencione e mashtruan edhe njëri tjetrin