Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: Në kazinonë e zyrtarit policor u zhvilluan lojërat e fatit

I arratisur të premten për t’u dorëzuar menjëherë një ditë më pas para organeve të rendit, zyrtari policor, F.L, po dyshohet për dy vepra penale, atë të ndihmës në kontrabandim të kafshëve përmes rrugëve ilegale në Kamenicë si dhe për organizim të lojërave të fatit.

E dosja e Prokurorisë së Gjilanit, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, zbulon se në lokalin “Adria”, i cili është në emër të zyrtarit policor, zhvillohej veprimtaria e paligjshme me lojëra të fatit.

Gjithashtu dosja zbardh se vetë polici ka organizuar lojëra të fatit, veprimtari kjo e ndaluar me ligj.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës për përmbajtjen e kërkesës për paraburgim për 30 personat e arrestuar në aksionin e së premtes në Karaçevë.

Nga 35 persona të arrestuar, mes tyre janë edhe 12 zyrtarë policorë.

5 nga të arrestuarit të premten janë liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë ditës së sotme, Gjykata në Gjilan ka vendosur që 30 të pandehurit për kontrabandë dhe lojëra të fatit të dërgohen në paraburgim për 30 ditë.

11 zyrtarë policorë po dyshohen se kishin mundësuar dhe nuk kishin penguar kontrabandimin me kafshë të qytetarëve të cilët po ashtu janë arrestuar në aksionin policor në Karaçevë.

Kontrabandimi sipas Prokurorisë ishte bërë përmes rrugëve ilegale madje dyshohet se disa nga kafshët e kontrabanduara e që cak kishin tregun kosovar ishin të sëmura.