Foto: REL/Reuters

Dosja e prokurorisë: 37 familje përfituan material për rindërtimin e shtëpive por dy nuk e morën kurrë

37 familje skamnore në Prizren dolën të jenë përfituese të ndërtimit të shtëpive, por dy prej këtyre mbetën pa kulm mbi kokë.

Komuna e Prizrenit në nëntor të vitit 2021, me anë të një tenderi synonte të ndihmonte me materiale ndërtimore familjet skamnore dhe rastet sociale.

Përfitues të tenderit “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”, ishin 37 sosh.

Por, hetimet e para të Prokurorisë së Prizrenit tregojnë se pavarësisht faktit që faturat ishin paguar e nënshkruar në tërësi, dy familje materialin nuk e morën kurrë.

Pas shtatë muajve hetime në këtë rast, në pranga të policisë përfunduan pesë persona: katër zyrtarë komunalë dhe një pronar i një kompanie.

Në vendimin që KALLXO.com ka siguruar, thuhet se katër zyrtarët: Çengiz Curciali, Asim Imeri, Raim Xhaferi janë pjesë e Zyrës për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Prizrenit.

I përfshirë në këtë çështje është edhe drejtori i ndërmarrjes private “B-Ademaj” Sh.P.K., Shaban Ademaj.

Sipas dosjes, të lartcekurit po dyshohen se në bashkëkryerje nuk e kanë dorëzuar në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në tender.

“Të pandehurit si persona zyrtarë, tejkalojnë kompetencat e tyre ashtu që përfituesve për furnizim me material ndërtimor – të dëmtuarve B.R., A.K., L.U., etj, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit” – thuhet në vendim.

Me veprimet e tyre zyrtarët komunalë dhe biznesmeni sipas Prokurorisë dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e Prizrenit mbi 13 mijë euro.

Të pandehurit po ashtu akuzohen se kanë falsifikuar dokumente duke nënshkruar fatura në emër të personave përfitues.

“Po ashtu, të njëjtit si persona zyrtar në dokumentin zyrtar shënojnë të dhëna të rreme ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor”- sqarohet në dosje që KALLXO.com ka siguruar.

Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit dhe falsifikimi i dokumentit zyrtar.

Ditë më parë, Gjykata e Prizrenit ndaj pesë të pandehurve ka caktuar 30 ditë paraburgim. Gjykata ka paraparë që paraburgimi është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

“Me lënien në liri të të pandehurve, ekziston rreziku i dëmtimit të provave, apo edhe ndikimi në dëshmitarë, me çka do të dëmtonin rrjedhën e procedurës penale, andaj Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”- thuhet në vendimin mbi paraburgimin.