Dorëheqja e Shpend Maxhunit e lë AKI-në pa asnjë drejtues

Agjencia Kosovare e Inteligjencës në Kosovë ka mbetur pa udhëheqje. Kjo pasi që gjatë ditës së sotme, kryeministri Ramush Haradinaj njoftoi se drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni është dorëhequr nga posti i tij.

Por në faqen zyrtare të AKI-së nuk figurojnë as dy pozitat e tjera kryesore në këtë institucion, ajo e zëvendësdrejtorit dhe e inspektorit të përgjithshëm.

Shpend Maxhuni vazhdoi  avazin e ish- drejtorëve e drejtuesve të tjerë të AKI-së, të cilët nuk përfunduan mandatin komplet në po këtë institucion.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe vetë Maxhunin për të mësuar arsyet e dorëheqjes por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Në anën tjetër as kryeministri Haradinaj në postimin e tij ku njoftohej dorëheqja e Maxhunit nuk ka dhënë detaje ose arsye të dorëheqjes së drejtuesit të AKI-së.

Shpend Maxhuni, Drejtor i ri i AKI-së

Puna e Shpend Maxhunit në AKI:

Pasi ishte dorëhequr nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ishte rehatuar menjëherë në një pozitë tjetër, më të lartë në njëri ndër institucionet më të besueshme dhe më seriozet në Kosovë.

Më 20 prill, Shpend Maxhuni kishte marrë pozitën e Drejtuesit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Pas skandalit me deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi dhe ndërrimi i pozitës së Maxhunit nga drejtori i Policisë së Kosovës në atë të AKI-së, nuk kishte ndikuar që i njëjti të i nënshtrohej një intervistimi nga një komision i themeluar në lidhje me deportimin e gjashtë gylenistëve.

Maxhuni vazhdimisht kishte kërkuar që intervistat e tij para këtij komisioni të ishin të mbyllura shkaku i dokumenteve konfidenciale të cilat pretendonte se do të i paraqiste në komision.

Historiku i drejtorëve të AKI-së

Ndonëse puna e saj nuk është se ekspozohet për publikun dhe bëhet në mënyrë të fshehtë, gjatë këtyre 10 viteve të punës AKI ka qenë shpesh shënjestër e mediave.

Kështu, jo rrallë herë Agjencia është përfshirë edhe në skandale të brendshme.

Asnjëri nga drejtorët e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë deri më tani nuk e ka përfunduar mandatin në formën e rregullt. Ata ose janë dorëhequr ose janë shkarkuar.

Drejtori i parë i kësaj Agjencie ka qenë Bashkim Smakaj, sot këshilltar i presidentit Thaçi.

Smakaj ishte emëruar si drejtor i AKI në vitin 2009, për të përfunduar një mandat në krye të institucionit më të lartë për siguri në vend. Por, atë kohë presidentja Atifiete Jahjaga dhe kryeministri Thaçi i patën vazhduar mandatin edhe për pesë vite. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, vetë Smaka kishte ofruar dorëheqje.

Fatin e njëjtë me drejtorin e parë të AKI e pati edhe pasuesi i tij, Agron Selimaj, që deri në atë kohë kishte pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm brenda  këtij institucioni. Për më pak se dy vite sa kishte shërbyer në krye të Agjencisë për Inteligjencë, Selimaj kishte njoftuar se dorëhiqet për arsye familjare.

Driton Gashi pasoi Agron Selimajn në pozitën e drejtorit të AKI-së. Mirëpo, sikurse dy ish- drejtorët e kaluar, edhe ky nuk arriti ta përfundojë mandatin e rregullt pesëvjeçar. Shkarkimi i tij erdhi pas një skandali. Spiunët e AKI-së kishin bashkorganizuar deportimin e disa shtetasve turq. Për këtë, kryeministri i tanishëm kishte vendosur që ta shkarkojë atë.

Drejtori aktual i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë është ish- drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Skandalet e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

AKI, si institucioni më i lartë për siguri në vend, shpesh u bë temë në medie për skandalet, të cilat në shumicën e rasteve edhe u përcollën me dorëheqje e shkarkime.

Në mars të vitit të kaluar, AKI u përfshi në deportimin e gjatë shtetasve turq. Aksioni rezultoi me së paku dy dorëheqje, të drejtorit të kësaj Agjencie, Driton Gashi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Kjo ngjarje u pat përcjellë me shumë reagime, vendore e ndërkombëtare.

Ndërsa, gjatë shtatorit të vitit të kaluar, brenda hapësirave të AKI-së ndodhi një vrasje. Një punonjës i sigurimit qëlloi për vdekje një punonjës të kuzhinës brenda objektit. Ndonëse bëhej fjalë për një vrasje, deri më tani nuk ka pasur asnjë marrje të përgjegjësisë. Ndërkohë, hetimet nga Prokuroria e shtetit po vazhdojnë për rastin e vrasjes.

Në fund të vitit të kaluar Prokuroria pati punë edhe me djalin e shefit aktual të AKI-së, Shpend Maxhuni, Shpëtim Maxhuni. Me 12 tetor ai u ndalua nga Policia e Kosovës për posedim të armës dhe narkotikëve.