Ditmir Bushati sulmon deputetët socialistë për “kapitalizëm grabitqar”

Deputetët socialistë miratuan një kërkesë të re të kompanisë koncesionare BMB e cila ka ndërtuar një port privat nafte në Porto-Romano, gjë që u kritikua nga deputeti socialist Ditmir Bushati si një transformim i vendit në një republikë kapitalizmi grabitqar. Kolegu i tij Balla i cilësoi kritikat si “patetike”.

 

Një kompani e lidhur me grupin e naftës Kastrati, e cila mori një kontratë koncesionare në vitin 2015 për të ndërtuar një port privat për importin e naftës në Porto-Romano u lejua nga Kuvendi i Shqipërisë me kërkesë të saj që përveç naftës, të përpunojë në këtë port edhe mallra të tjerë. Porti MBM filloi ndërtimin në vitin 2015 në zonën e Porto-Romanos në Durrës me një vlerë investimi 15 milionë dollarësh. Investitori është ADRIATIC BAY INVESTMENT GROUP SHPK, e cila është një kompani nën pronësinë e Kastrati SH.A dhe Europetrol. Objekti i koncesionit është ndërtimi i një porti vetëm për përpunimin e produkteve hidrokarbure. Por kompania kërkoi së fundmi që të lejohet të përpunojë edhe mallra të tjera dhe qeveria dhe deputetët socialistë ia miratuan menjëherë kërkesën.

Por ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e konsideroi kërkesën si një praktikë oligarkike dhe vënie e shtetit në shërbim të privatit. Në një fjalim agresiv, Bushati argumentoi se në kushtet e pandemisë Kuvendi i Shqipërisë nuk mundet të vijojë punën si zakonisht për të miratuar ndryshime në një kontratë koncesionare pa u shoqëruar propozimi me një analizë të plotë të situatës.

“…ne nuk jemi zotër të këtij vendi dhe duhet të jemi të kujdesshëm me liritë politike dhe liritë ekonomike të qytetarëve që përfaqësojmë,” deklaroi Bushati. “Ne nuk kemi asnjë tagër zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, për të marrim vendime për 30 vitet e ardhshme,” vijoi ai.

Kastrati, i cili është operatori kryesor i tregtisë së naftës në Shqipëri, ka përfituar gjatë viteve të fundit edhe koncesionin e rrugës së Kombit.

Qeveria socialiste e Edi Ramës është e njohur për përqendrimin e një pjese thelbësore të shpenzimeve buxhetore në një numër të vockël kontratash koncesionare, afati i të cilave zgjat shumë përtej mandatit politik të qeverisë. Edhe qeveritë e mëparshme socialiste dhe të Partisë Demokratike kanë dhënë kontrata të tilla afatgjata, të cilat kanë ngritur pikëpyetje nëse Shqipëria po ecën drejt një lloji kapitalizmi oligarkik, ku pak njerëz kontrollojnë infrastrukturën ekonomike bazë dhe përdorin shtetin për qëllimet e veta.

Bushati tha të Enjten se ai e bënte deklaratën si një njeri me bindje të majta.

“Unë jam njeri që besoj te idealet e qendrës së majtë dhe e dua publiken. Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe t’ia japim privatit. Nuk ka pse ARRSH-ja të nxjerr tenderin 5.5 milionë euro për t’i çuar dhe rrugën privatit. Nuk kanë pse të paguajnë taksa shqiptarët e zakonshëm këtij vendi dhe të gjithë ne për të çuar atje postën policore, doganierin, kontrollin sanitar dhe fitosanitar,” deklaroi ai.

Socialistët e tjerë vijuan me axhendën si zakonisht.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kritikoi kolegun e tij duke e quajtur diskutimin e tij “patetik”.

“Kjo historia e diskutimeve patetike, gjoja në interes të njerëzve, por është thjesht për të kapur lajmin e ditës nuk i bën nder askujt,” deklaroi Balla.