Ditmir Bushati, ministër i jashtëm i Shqipërisë. Foto: Kallxo.com

Lobimi për shkëmbim territoresh me para të shtetit, reagon Ditmir Bushati

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar pas publikimit të dytë nga BIRN mbi lobimin për ndarjen të territorit të Kosovës me para të shtetit.

Bushati ka thënë se lobistët e përfshirë kanë dobësuar pozicionin e Kosovës në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jeta Xharra zbulon tjera lobime për shkëmbim territoresh dhe kundër Gjykatës Speciale. Fatkeqësisht, qeveritë janë rrëzuar njëra pas tjetrës, lobistët janë paguar të sjellin tema nga pluhuri i arkivave të Serbisë në tryezën e bisedimeve dhe media duke dobësuar ndërkombëtarisht pozicionin e Kosovës”, ka shkruar Bushati në rrjetin social Twitter.

 

Sot gjatë ditës, hulumtimi i Jeta Xharrës ka zbardh organizimin për lobim me para të shtetit për të promovuar idenë e shkëmbimit të territoreve në vendet e huaja.

Siç zbulon hulumtimi, ambasadori i Kosovës në Paris, Qendrim Gashi, sipas një gazetari të gazetës Le Monde, kishte avokuar për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 28 maj, BIRN-i ka zbuluar se si gjatë qeverisë së PAN-it ishin paguar 168,000 euro te kompania me seli në Paris, Majorelle PR & Events, e cila kishte promovuar “pozicionin e Kosovës” për “korrigjim territoresh” si mjet për arritjen e marrëveshjes paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dhurata Hoxha, e cila në atë kohë shërbente si ministre në Ministrinë për Integrime Evropiane dhe e kishte nënshkruar kontratën me kompaninë, e ka përshkruar artikullin si “lajm i rrejshëm” dhe ka kërcënuar se do të bëjë padi për shpifje. Ajo po ashtu kishte kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e kishte shpërndarë në Twitter artikullin e Prishtina Insight, që “të kërkonte falje dhe të distancohej nga deklarata e saj publike”.

Megjithatë, në ndërkohë, BIRN ka kontaktuar një gazetar dhe një akademik të cilët kanë konfirmuar se ata ishin lobuar për të shkruar pozitivisht për ‘korrigjim kufijsh’ dhe shkëmbim potencial të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Korrespodenti për Evropë Qendrore i gazetës Le Monde, Jean-Baptiste Chastand, e ka mbuluar Ballkanin që nga viti 2015. Ai ishte kontaktuar nga kompania Majorelle PR & Events edhe gjatë vitit 2018 edhe gjatë vitit 2019.

Në shtator të vitit 2018, një përfaqësues i kompanisë Majorelle e kishte telefonuar për të aranzhuar një takim mes gazetarit Chastand dhe Ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, për të diskutuar rreth shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky është hulumtimi i plotë:

Dëshmi të reja rreth lobimit me para të buxhetit për copëtim të territorit