Disa persona të plagosur nga sulmi me thikë në Gjermani

Policia gjermane ka thënë se disa persona janë plagosur të shtunën si pasojë e një sulmi me thikë në një tren të shpejtë.

Policia lokale ka thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press se ka pranuar thirrjen rreth orës 09:00 të mëngjesit të shtunën.

Treni ka qenë duke udhëtuar në mes të qyteteve të Bavarisë, Regensburg dhe Nuremberg, në kohën e sulmit.

Një person është arrestuar për lidhje me sulmin në qytetin Seubersdorf, ku është ndalur treni.

Policia ka thënë se disa persona janë plagosur, mirëpo nuk ka mundur të japë shifër specifike.

Rreth 200 persona janë larguar nga treni dhe janë dërguar nëpër restorante lokale, ka thënë transmetuesi gjerman, Bayerischer Rundfunk.

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, ka thënë se prapavija e sulmit është “ende e paqartë” dhe tani “po qartësohet”.

Ai ka thënë se banorët afër zonës ku ka ndodhur sulmi, nuk përballen me rrezik.

“Shpresoj se të plagosurit dhe ata që kanë qenë dëshmitarë, të shërohen shpejtë dhe plotësisht”, ka thënë Seehofer.

Një zëdhënës për rrjetin e hekurudhave gjermane ka konfirmuar se stacioni në Seubersdorf është mbyllur dhe udhëtimi me tren nga Regensburg dhe Nuremberg është pezulluar. REL