Dinari serb në Kosovë, Mbretëria e Bashkuar propozon tre hapa për Kosovën e Serbinë

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë seancës që po mbahet e që u thirr nga Serbia për rregulloren e BQK-së ka propozuar tre hapa që duhet të ndiqen nga Kosova e Serbia.

Hapi i parë sipas përfaqësuesit anglez është që Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e tyre dhe të shmangin veprime të njëanshme.

“Hapi i dytë është se Kosova duhet të ushtroj pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumetnike që është e ngulitur mu në zemër të Kushtetues së Kosovës” – tha ai.

Tutje i njëjti tha se sa i përket veprimeve të fundit, Banka Qendrore e Kosovës ka kërkuar që të zbatojë përgjegjësit e veta për rregullimin e valutave të huaja, por sipas tij implementimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës ka treguar vëmendje të paktë për sa i përket ndikimit në komunitetin serb.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar tha se autoritetet e Kosovës duhet të ndërtojnë një plan të qartë që të gjithë serbët e Kosovës të vazhdojnë t’i marrin të ardhurat dhe që shërbimet themelore të vazhdojnë të funksionojnë deri sa të gjendet një zgjidhje e gjithanshme.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë seancë, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia përfaqësohet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Nga 1 shkurti në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Vendimi për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

Në këtë seancë, Serbia përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërkaq Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Lajm në zhvillim… Vuçiq nuk i përmendi tre terroristët e vrarë në Banjskë sepse e di që ishin të financuar nga Serbia