Dhunë mbi gratë e sulm mbi vajzën, gjashtë raste të dhunës në familje të raportuara në Polici

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuan në Polici në 24 orët e fundit, e Policia për këto raste ka arrestuar pesë persona të dyshuar.

Rastet janë regjistruar në Prishtinë, Gjilan, Junik, Pejë dhe Gjakovë.

Në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme.

Viktima e këtij rasti, siç njofton Policia, është dërguar në strehimore ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë po dje rreth mesditës, një grua ka raportuar se në vazhdimësi ka pasur presion psikik dhe sulme fizike nga një burrë me të cilin ishte duke bashkëjetuar.

Në njoftim thuhet se i dyshuari nuk është hasur nga njësitë policore. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe rasti vazhdon të hetohet.

Ndërsa nën dyshimin se ka kanosur familjen, është arrestuar një burrë në Gjilan. Në raportin e përditshëm 24 orësh të policisë së Kosovës, thuhet se ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme dhe i dyshuari më urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një arrestim për dhunë në familje, ka ndodhur edhe në Junik. Polica ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 13:40 dhe i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ka njoftuar PK.

Për dhunë fizike ndaj bashkëshortes është arrestuar edhe një burrë në Pejë. Sipas njoftimit të Policisë i dyshuari ka qenë nën ndikimin e alkoolit me 1.28 promil ndërsa ngjarja ka ndodhur mbrëmë. Për këtë rast, me vendim të Prokurorit të Shtetit, sipas PK-së, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajte.

Ndryshe nga rastet tjera kur të dyshuar për shkaktim të dhunës ishin burrat, në Gjakovë, Policia e Kosovës është njoftuar se një grua ka sulmuar fizikisht vajzën e saj. Policia njofton se për këtë rast, ka arrestuar të dyshuarën ndërsa viktimës i është ofruar tretman mjekësor.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit e dyshuara të lirohet. Rasti vazhdon të hetohet, thuhet tutje në raportin e Policisë.