Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Detaje si u godit me grushte infermieri në spitalin e Prizrenit

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për të pandehurin A.K nën dyshimet për sulm ndaj personit zyrtar.

“Gjykata me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit A.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, duke u bazuar edhe në provat e mbledhura deri në këtë fazë”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës në Prizren, para tri ditëve, në orët e mbrëmjes, në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren, i pandehuri A.K., ka sulmuar fizikisht një infermier teknik i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare.

“Pasi i pandehuri ka dërguar djalin e tij në Spital për të kryer ekzaminim, i dëmtuari infermieri teknik i ka kërkuar të dhënat personale të djalit të të pandehurit pasi këto shënime nuk ishin të evidentuara në udhëzim, e pas kësaj i pandehuri ka filluar të fjaloset me të dëmtuarin duke iu drejtuar me fjalët ‘për para e ki a, dhe se me ty kam problem që dy vite’. Pas kësaj me dashje ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte në pjesën e fytyrës dhe hundës”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, si pasojë infermieri ka pësuar lëndime trupore për shkak të sulmit.

Gjyqtari i procedurës, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe ndaj të pandehurit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

“I pandehuri A.K., nuk guxon që të largohet nga lokalet ku i njëjti e ka vendbanimin në Prizren, si dhe i ndalohet të kontaktoj me personat me të cilët ai nuk jeton apo të cilët nuk janë të varur nga i pandehuri, nëse i njëjti e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka njoftuar se i pandehuri gjatë deklarimit të dhënë në polici, ka pranuar se ka kryer sulmin ndaj personit zyrtar, ndërsa këtë veprim e ka ndërmarrë për shkak të gjendjes jo të mirë të tij dhe të djalit të tij, të cilin e kishte dërguar për trajtim në spital.