Detaje për shtetasit e Shqipërisë të cilët tentuan të kalojnë kufirin me teste të falsifikuara për COVID-19

Policia Kufitare e Rinasit ka arritur që të identifikoj dy raste kur shtetasit e Shqipërisë tentuan që të kalojnë kufirin me teste të falsifikuara për COVID-19.

Policia e Shtetit ka njoftuar se dy qytetarët janë procedura penalisht pasi që të njëjtit kanë tentuar që të udhëtojnë në Gjemani dhe Greqi me teste për COVID-19 të falsifikuara.

“Në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nisur dhe nga informacionet e marra në rrugë operative, si dhe nga komunikimi me autoritete të tjera ligjzbatuese, është marrë informacion që persona të ndryshëm po përdorin teste të COVID-19, të falsifikuara pjesërisht dhe totalisht. Nisur nga kjo situatë është bërë një kontroll dhe verifikim më i hollësishëm i dokumentacionit dhe i testeve të COVID-19, në bashkëpunim dhe me klinikat mjekësore që lëshojnë këto teste”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Rasti i parë sipas njoftimit është identifikuar gjatë përpunimit të të dhënave të pasagjerëve që udhëtonin drejt Gjermanisë.

“Është dyshuar se shtetasi Gj. D., 45 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, në Laç, ka paraqitur një test të falsifikuar të COVID-19. Pasi është komunikuar me klinikën përkatëse ka rezultuar se testi që kishte paraqitur ky shtetas ishte i falsifikuar”, njofton policia.

Rasti i dytë është identifikuar gjatë përpunimit të të dhënave të pasagjerëve që udhëtonin drejt Athinës ku është dyshuar se shtetasja P. M., 43 vjeçe, banuese në fshatin Kostur, në Has, ka paraqitur një test të falsifikuar të COVID-19.

“Pasi është komunikuar me klinikën përkatëse ka rezultuar se testi që kishte paraqitur kjo shtetase ishte i falsifikuar. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të dy shtetasit e lartpërmendur janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Falsifikimi i formularëve, i vulave ose i stampave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia ka njoftuar se në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vazhdon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kryer falsifikimin e këtyre dokumenteve.

Shërbimet e Policisë Kufitare në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar në vend po intensifikojnë kontrollet duke bashkëpunuar ngushtë edhe me autoritete e tjera të zbatimit të ligjit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në të gjitha fushat.