Detaje për aksionin e policisë dhe municionet që u gjetën në Banjskë

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha në një konferencë për media së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka ndarë detaje për municionin e gjetur gjatë aksionit policor në Banjskë të Zveçanit.

Në vijim gjeni sasinë dhe llojet e municionit të gjetur në operacionin policor:

Janë gjetur: 24 automjete, 1 mjet i blinduar, 2 motorrë, 8 mina kundër këmbësorisë, 29 zolla të mbushura, zolla të përdorura 7, 54 predhë minahedhës 32 mm, predhë minahedhës 62mm 83 copë, granatë dore 75 copë, mina antitank 8 copë, eksploziv dinamit 150, detonatorë elektrik 2, armë e kalibrit rëndë 1, armë e gjatë mitralozë 6 copë, armë e gjatë AK 47, 30 copë, armë e gjatë me dylbi 6 copë, revole 3 copë, armë e shkurtë me shurdhues 3 copë, shurdhues për AK 47 18 copë, karikatorë për AK 47, 235, jelekë antiplumabë 21, 3 dronë, sasi e madhe e municionit të kalibrave të ndryshëm, dylbi nate 15, radiolidhje 32 copë, kamera 4, çanta ushatarke 107, uniforma 115, 4 harta nga sateliti, kazma e sopata nga 20 copa, 8 sopata, 3 motor sharra, 23 maska, sharra dore 4, barrela, ushqime të shumta e medikamente, telefona 32 copë dhe kartmonedha të ndryshme.

Drejtori i policisë Gazmend Hoxha po ashtu ka ndarë detaje edhe për mënyrën si ka rrjedhur operacioni i ditës së diel, ku nga sulmi i një grupi terrorist një polic humbi jetën dhe dy tjerë mbetën të plagosur.

“Dje një ekip i policisë gjatë patrullimit të rregullt në rajonin e Zveçanit, me të arritur në lokacionin e njohur si Ura e Banjskës kanë hasur në një bllokim të rrugës nga dy kamionë pa targa. Derisa ekipi po raportonte për këtë bllokim të rrugës, janë sulmuar nga persona të paidentifikuar me armë zjarri dhe mjete shpërthyese”- ka thënë ai.

Tutje, ai shtoi se të dyshuarit pas këtij sulmi janë larguar në drejtim të fshatit Banjskë.

“Menjëherë pas sulmit, ekipet e policisë në koordinim me EULEX dhe KFOR ka ndërmarr të gjitha veprimet për lokalizim të sulmuesve. Me përdorim të mjeteve të veçanta rreth orës 05:20 kanë bërë lokalizimin e personave të cilët ishin vendosur rreth manastirit të Banjskës, të cilët ishin të armatosur”- shtoi ai.

Ai theksoi se gjatë monitorimit të Manastirit janë vërejtur edhe persona civil të cilët kanë tentuar të dalin, por nuk janë lejuar të largohen nga personat e armatosur, duke u përdorur si pengje.

“Rreth orës 15:30 policia ka pastruar zonën në dhe rreth manastirit, gjatë operacionit policia ka arrestuar dy persona të cilët ishin të armatosur e me uniforma. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i plagosur dhe është dërguar në QKUK për trajtim. Ndërsa, i arrestuari tjetër ishte pjesë e organizatës Mbrojtja Civile”.

Hoxha shtoi se gjatë ekzaminimit janë gjetur trupat e tre personave të vrarë.

“Gjatë ekzaminimit janë gjetur trupa të personave të vrarë, ata ishin të armatosur e me uniforma. Tjerët janë larguar në këmbë. Brenda manastirit janë gjetur disa armë dhe raketahedhës”- tha ai.

Sipas drejtorit të policisë, në disa automjete ka pasur tiketa regjistrimi të Serbisë, në njërën prej tyre është gjetur një dokument për leje të përdorimit të armës për Milan Radojçiq.

“Janë gjetur edhe shumë dokumente të cilat tregojnë se janë nga Serbia, përfshirë dokumente identifikimi të personave. Pjesëtarë të Mbrojtjes Civile kanë qenë 5”- shtoi Hoxha.

Sveçla: Përveç armëve e autoblindave kemi gjetur plane dhe harta të grupit terrorist