FOTO: ZKM

Detaje nga takimi i Kurtit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Rëndësia e mbështetjes së Shqipërisë për proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti ka uruar presidentin shqiptar për marrjen e detyrës.

“Ai e përgëzoi Shqipërinë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ritheksoi përkushtimin dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve tona” – thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy vendeve, u diskutua rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë e sidomos e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka u kërkua bashkëpunimi i të dyja vendeve në këtë drejtim.

“Presidenti Begaj e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit bilateral. Ai shprehu përkrahjen e plotë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës” – thuhet në komunikatë.

Tutje në këtë komunikatë bëhet e ditur se presidenti shqiptar i ka dhënë mbështetje vendimeve të Qeverisë së Kosovës  rreth reciprocitetit për targat dhe dokumentet e identifikimit duke e përgëzuar kryeministrin për maturinë dhe qetësinë e treguar rreth zhvillimeve të 31 korrikut.

“Presidenti Begaj tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe theksoi përkrahjen për qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç tha ai, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke” – thuhet në komunikatë.

Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera, sipas komunikatës, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike.

Presidenti shqiptar Bajram Begaj sot ka filluar vizitën e tij të parë në Kosovë që nga marrja e mandatit.

Begaj është pritur në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.