Dështon për herë të tretë gjykimi për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Gjykimi ndaj ish-deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deputetëve të AAK-së Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj si dhe  ish-deputetes së Vetëvendosjes, Besa Baftiu sërish ka dështuar të mbahet.

Nga burime të KALLXO.com mësohet se aryseja e mosmbajtjes së seancës gjyqësore ishte mungesa e të akuzuarës, Donika Kadaj- Bujupi dhe prokurorit të çështjes, Ilaz Beqiri.

Ndërsa avokati Arianit Koci, mbrojtës i të akuzuarit Pal Lekaj për KALLXO.com tha se seanca e radhës në këtë çështje penale është paraparë të mbahet më 15 shtator por gjykata ka mbetur që t’i njoftojë edhe një herë përmes ftesave.

Kujtojmë se edhe seancat e datës 10 dhe 30 shtator  kanë dështuar të mbahen në mungesë të kushteve ligjore.

Në këtë seancë gjyqësore të akuzuarit do të deklaroheshin lidhur me pranimine  fajësisë për veprën penale armëmajtje pa leje.

Aktakuza e Prokurorisë  thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të 2016-tës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë -Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.