Dëshmitarja në rastin gjyqsor "Grantet": Në programet e rregullta në MBPZHR, nuk janë dhënë grante më të larta se 200 mijë euro

Ish ministri i Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo dhe 7 të akuzuarit e tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare ballafaqohen me deklaratën e dëshmitares se ftuar nga Prokuroria Speciale.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me administrimin e provave, konkretisht dëgjimin e dëshmitares, meqenëse në pjesën e parë palët dhanë fjalët hyrëse.

Shqipe Dema, drejtoreshë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural, është ftuar në cilësinë e dëshmitares për rastin “Grantet”.

Dëshmitarja, tregoi për procedurat se si janë nxjerrë draftet për programet punuese në Departamentin që ajo drejton, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural (MBPZHR).

Ajo potencoi se nuk ishte në dijeni se kishte ndonjë udhëzues që përshkruan procedurën e veçantë.

“Unë nuk e di që mund të ketë diçka të veçantë. Sa unë e di brenda ministrisë nuk ka strukturë që bën hartimin e vendimeve të veçanta”, tha dëshmitarja Dema.

Gjithashtu, ajo shtoi se shuma më e lartë e grantit të ndarë nga ministria, ishte 200,000 euro.

“Në programe të rregullta nuk kemi nda grante me shuma më të mëdha se 200,000 euro”, tha Dema.

Dëshmia e saj u vendos që të vazhdohet e plotë në shqyrtimin e ardhshëm gjyqësor, meqë palët kishin shumë pyetje për t’i parashtruar dëshmitares.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikalo më 26.03.2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

Nën dyshimin e keqpërdorimit të 4 milionë eurove, ka vazhduar gjyqi ndaj ish ministrit Rikallo dhe të tjerëve