Deputeti i LVV-së: Heqja e reciprocitetit, largim nga barazia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, në pikën jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës iu drejtuar qeverisjes Hoti.

Ai tha se asgjë normale nuk po ndodh që nga dita që janë ulur në ato karrige.

“Ju mund t’i mbani zyrat e qeverisë të uzurpuara për sa kohë por të vërtetën nuk mund ta tjetërsoni. Deri në ditën kur do të dalim prapë për të kërkuar besimin e qytetarëve na keni këtu për t’ju kujtuar që keni mashtruar”, tha ai.

Ai tha se nuk gjeni dot një shembull tjetër në botë që një qeveri me vendim heq dorë nga barazia.

“Si është e mundur që një qeveri t’ia mohoj vetës masat e reciprocitetit. Sepse reciprociteti është çështje esenciale e funksionimit të republikës”, tha ai.

Deputeti I LVV-së, shtoi se reciprociteti është çështje dinjiteti, deklaratë barazie dhe është garancë sovraniteti.

“Heqja e reciprocitetit pa analizë, pa parime, pa diskutime dhe pa bazë paraqet dëm të pariparueshëm politik dhe kushtetues, dëmton prodhuesin vendor, dobëson skajshmërisht pozicionin tonë në dialog, përfundimisht mënjanon mundësinë tonë për barazi që është parim themeltar në të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.