Deputeti i LVV kërkon që Qeveria ta kontrollojë cilësinë e naftës

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot ka shqyrtuar raportin me amendamente për Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.

Kryetari i  këtij Komisioni Ferat Shala, tha se janë në fazën përmbyllëse të hartimit të ligjit për tregtinë me naftën.

“Konsideroj se jemi në fazën përmbyllëse të këtij ligji jashtëzakonisht të rëndësishëm për tregtinë me naftën”, tha ai.

Ndërsa sa i përket kontrollit të cilësisë së naftës gjatë mbledhjes pati debate mes deputetëve.

Ferit Shala tha se kontrolli nga Dogana nuk e cenon çështjen e konkurrencës dhe as çështjen e veprimit të laboratorëve.

Deputeti i VV-së Driton Hyseni tha se kjo çështje duhet t’i takoj Qeverisë dhe ministrisë përkatëse.

“Ideja është që ne t`ua lënë në diskrecionin e ministrisë sepse ata do të japin përgjegjësi para qytetarëve për cilësinë e naftës”, tha Hyseni.

Ferit Shala iu kundërpërgjigj deputetit Hyseni se me këtë po i humbasin besimin Doganës.

“Ne po ja humbim besimin Doganës dhe pse me ja lanë ministrit që me favorizuar një apo dy laborant për me u marrë me cilësinë e naftës”, tha Shala.

Lidhur me kompetencat e kontrollit të cilësisë së naftës, deputeti i AAK-së tha se më mirë do ishte që me këtë çështje të merret Dogana.

“Çdo Qeveri që ka ardhur ka vepruar sipas dëshirës së vet dhe jo për interes të përgjithshëm për inspektimin e cilësisë së naftës”, tha Lekaj.

“Unë e shoh si më të sigurt që kjo të lihet Doganës”, shtoi ai.