Deputetët s’votojnë, shtyhen gjashtë pika të rendit të ditës

Për shkak të mungesës së kuorumit në vendimmarrje, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që t’i kalojë gjashtë pika të rendit të ditës.

Në votime morën pjesë maksimumi vetëm 31 deputetë.

Kësisoj është shtyrë edhe   votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”,

Pikat e tjera të cilat u shtynë, janë edhe   votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social, votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës, votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, si dhe votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256.