Antony Blinken në Kiev - Foto: U.S. Department of State

Departamenti amerikan i Shtetit publikon foto të Sekretarit Antony Blinken duke ecur në rrugë në kryeqytetin e Ukrainës

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar një fotografi të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, duke ecur në rrugë në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

“U ktheva sot në Kiev për të demonstruar mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën, ndërsa ata mbrojnë lirinë e tyre përballë agresionit rus” – ka thënë Blinken.

Sekretari ka mbërritur në Ukrainë në orët e vona të datës 13.05.2024 për këtë vizitë të paparalajmëruar.

Gjatë kësaj vizite është paraparë që ai të takohet me presidentin Volodymyr Zelensky, kryeministrin Denys Shmyhal, dhe ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, kryediplomati amerikan dhe udhëheqja ukrainase do të diskutojnë për “më të rejat nga fushëbeteja, për ndikimin e ndihmës së re amerikane në fushën e sigurisë dhe ekonomisë dhe për zotimet afatgjata për siguri dhe zotime të tjera”.

Vizita e Blinkenit në Ukrainë po ndodh disa javë pasi Kongresi amerikan miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.