Dënimi ndaj kërcënuesit të gazetares së KALLXO.com, reagon AGK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar vendimit të Gjykatës së Prishtinës për të dënuar me 1 mijë euro gjobë të akuzuarin A. P., i cili është shpallur fajtor për kanosje ndaj gazetares së KALLXO.com Arjana Berisha, në gusht të vitit 2022.

Asociacioni është shprehur e shqetësuar lidhur me masën e dënimit që ka marr A.P.

“AGK i bashkohet mediumit Kallxo.com për të shprehur indinjatën për nivelin e dënimit për personin që kishte kërcënuar dhe kanosur gazetaren, Arjana Berisha” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se AGK-ja e konsideron dënimin prej 1 mijë eurosh si jo proporcional me veprën, dhe që nuk shërben si shembull për të gjithë ata që kanë sulmuar apo sulmojnë gazetarët.

“Duke marrë parasysh punën e rëndësishme në interes të publikut që gazetarët bëjnë, vendimet e gjykatave në rastet kur cenohet siguria e tyre fizike, duhet të jenë meritore dhe në përputhje me veprën e rëndë” – vazhdohet tutje.

Në anën tjetër edhe Kallxo.com me shqetësim të thellë ka parë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin njëri nga personat e akuzuar për kërcënimin e gazetares së Kallxo.com, Arjana Berisha, është dënuar me vetëm 1 mijë euro gjobë.

Kallxo konsideron se procesi gjyqësor ishte i parregullt dhe se e pamundësoi zhvillimin e një procedure gjyqësore e cila do të argumentonte rrethanat rënduese dhe do të ndërtonte standardin e ndëshkueshmërisë për kërcënuesit e gazetarëve.

Kallxo vlerëson se dënime të tilla të ulëta motivojnë kërcënuesit dhe sulmuesit e gazetarëve, si dhe dëmtojnë rëndë ambientin e punës për gazetarët profesionist e inkurajojnë kërcënuesit tjerë të shtojnë dhunën ndaj gazetarëve.

Reagim publik pas dënimit të kërcënuesit të gazetares së Kallxo.com