Demokratët votojnë për kryetarin e ri të partisë

75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike janë thirrur të votojnë për kreun e ri të kësaj force politike në 76 qendra votimi në Shqipëri.

Në garë për liderin e ri që do t’i drejtojë përgjatë katër viteve të qëndrimit në opozitë demokratët, janë katër kandidatë, mes të cilëve, kryetari në detyrë Lulzim Basha, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi.

I pari që iu drejtua kutive të votimit në selinë blu ishte Lulzim Basha, që i cilësoi këto zgjedhje vlerë të shtuar për PD-në.

“Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshim për Shqipërinë e shqiptarët, me këto vlera do ta çojmë deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.

Ndryshe nga Lulzim Basha, kandidati tjetër në garë, që votoi në selinë blu, Fatbardh Kadilli i cilësoi zgjedhjet një moment reflektimi.

“Është një garë që u  mbyll siç u nis e pabarabartë, por jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Iu rikthye gara falë kurajos dhe propozimit”, tha Kadilli.

Agron Shehaj, i cili në nisje të zgjedhjeve denoncoi ecurinë e procesit, ku sipas tij nuk ishin lejuar vëzhguesit e tij në disa komisione, pas votimit në selinë blu tha se sot vendosej fati i zgjedhjeve të ardhshme.

“Nuk zgjidhet vetëm kryetari i PD, por vendoset fati i zgjedhjeve të ardhshme. Këto zgjedhje rrisin vlerat e PD, por nëse standardi është i ulët mund të kthehet në boomerang për PD”, tha Shehaj.

Në të njëjtën linjë me të ishte edhe e vetmja kandidate grua në garë Edit Harxhi e cila votoi në njësinë 5 ku foli për parregullsi.

“Procesi është me probleme të mëdha, anëtarësia është përgjysmuar. Mendoj që demokratët duhet të jenë në lista. Janë penguar demokratë, themelues partie të votojnë vetëm sepse u thuhet që nuk janë anëtarë aktivë”, tha Harxhi.

Zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes dhe rezultati për emrin e ri të kreut të PD pritet të dalë sonte./TvKlan