Dyshimet se u tentua të kurdiset loja në futbollin e vajzave, reagon FFK

Federata e Futbollit e Kosovës ka thënë se zyrtarisht nuk kanë marrë asnjë njoftim apo ankesë për tentim kurdisjen e një ndeshje të mëhershme në futbollin e vajzave, ndërmjet dy ekipeve KFF Mitrovica dhe KFF EP Hajvalia.

Gjatë ditës së djeshme është raportuar në media se ekipi mitrovicas po pretendon se klubi nga Hajvalia ka tentuar t’ia blejë futbollistet e tyre që t’ia lëshojnë lojën.

FFK- thotë se kanë filluar me mbledhjen e të gjitha dëshmive rreth pretendimeve të këtij rasti.

“Tashmë çështja është adresuar te organet dhe Komisionet përkatëse brenda Federatës, të cilat janë duke mbledhur informacionet dhe dokumentacionet e nevojshme lidhur me këtë rast, e të cilat do të shqyrtohen me përpikëri” – thuhet në reagimin e FFK-së.

Gjithashtu, shtojnë se këtë rast e kanë adresuar edhe tek Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive për të proceduar më tutje.

FFK siguron që pretendimet dhe dyshimet që lidhen me këtë rast do të trajtohen me seriozitetin më të madh nga organet e tyre në aspektin disiplinor, ndërsa në aspektet e tjera do të merren organet shtetërore të Kosovës.

“Federata e Futbollit të Kosovës do të vazhdojë të marrë masa të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe integritetin e futbollit. FFK mbetet e përkushtuar për të promovuar vlerat e ndershme dhe respektimin e garës “fair-play” në futboll dhe do t’i luftojë me të gjithë mekanizmat e saj veprimet e tilla që rrezikojnë integritetin e lojës së futbollit dhe imazhin e Kosovës”- thuhet në mes tjerash në reagim.

Ekipet e vajzave, KFF Mitrovica dhe EP Hajvalia do të përballen në finalen e Kupës së Kosovës, të mërkurën me fillim nga ora 17:00.

Skuadra që shpallet kampione i përfiton 10 mijë euro nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe do të kualifikohet në garat e UEFA-s, prej së cilës në start i merr edhe rreth 65 mijë euro të tjera.

Në media gjatë ditës së djeshme është raportuar se në ndeshjen e parë mes tyre të zhvilluar më 4 mars, që kishte përfunduar 1:1, mitrovicasit po pretendojnë se para asaj ndeshjeje Hajvalia i ka tejkaluar suazat sportive pasi ka tentuar t’ia blejë futbollistet e tyre që t’ia lëshojnë lojën.