Foto: RTV 21

Kosovarët po martohen gjithnjë e më pak

Në vitin që shkoi u realizuan 16 mijë e 800 martesa apo 241 martesa më pak se në viti 2017-të.

Mbi 95 për qind e të martuarve janë shqiptarë dhe me shkollën e mesme. Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç

Mbi 16 mijë e 800 kurorëzime u realizuan në 2018-ën, pjesa dërmuese janë të nacionalitetit shqiptar.

“Në vitin 2018 janë grumbulluar gjithsej 18 332 fleta statistikore për kurorëzime DEM-3. Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2018 janë kurorëzuar 16 871 qifte-bashkëshortore. Femrat e kurorëzuar me përkatësi etnike shqiptare janë 94.0%, kurse 95.8% janë meshkuj të përkatësisë etnike shqiptare; femra me përkatësi etnike serbe janë 1.1% dhe meshkuj 1.1%; femra të përkatësisë etnike turke janë 0.4%, kurse meshkuj janë 0.5%; femra me përkatësi etnike boshnjake janë 1.1%, kurse meshkuj janë 1.0%; femra me përkatësi etnike rome, ashkali dhe egjiptiane janë 1.2%, kurse meshkuj janë 1.3%; femra me përkatësi tjetër etnike janë 2.3%, kurse meshkuj 0.4%.”, thuhet në njoftimin e ASK-së

Nëse krahasohet me raportin e njëjtë të një viti 2017-të. Numri i kurorëzimeve në Kosovë pësoi rënie për 241  kurorëzime më pak. Në vitin 2017-të, u realizuan 17 mijë e 112 kurorëzime.

Sipas ASK-së, mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç. Prej tyre mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeçe.

Në kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 mijë e 398, ose 32.0 për qind, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5 mijë e 341, ose 31.7 për qind.

Tutje ASK tregon se më së shumti kurorëzime ishin në komunën e Prizrenit, 1 mijë e 589 raste, ose 8.7 për qind, pastaj vjen Prishtina me 1 mijë e 285 kurorëzime, ose 7.0 për qind, ndërsa në Ferizaj ishin 1 mijë e 67 kurorëzime, ose 5.8 për qind etj.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie ishte 10 602, ose 62.8%, kurse e meshkujve ishte 11 701, ose 69.4%.

Këto të dhëna u bënë publike nga raporti “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë 2018” nga Agjencia Statistikave të Kosovës (ASK).