Trajnimi i D+ dhe BIRN Kosova

D+ në bashkëpunim me BIRN Kosova kanë mbajtur trajnime me 227 të rinj mbi lajmet e rreme

Gjatë muajit mars dhe prill të vitit 2024, organizata Demokraci Plus (D+) në partneritet me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë (BIRN Kosova) kanë mbajtur trajnime me studentë të shkollave të mesme dhe universiteteve të Kosovës lidhur me lajmet e rreme, “deep fake” (lajme thellësisht të rreme), gjuhën e urrejtjes, “cyber bullying” (bullizmi kibernetik) dhe dezinformatat. 

Të rinj nga Graçanica, Llapnasella, Shtërpca, Kufca e Epërme, Vitomirica, Gorazhdeci, Gjilani, Ferizaji dhe Prizreni përfituan nga mundësia për të mësuar rreth identifikimit të lajmeve të rreme dhe “deep fake” nga trajnimet interaktive të mbajtura nga D+ dhe BIRN Kosova. 

Gjithësej 227 studentë nga shkollat e mesme dhe universitetet ishin pjesë e këtyre trajnimeve. Pjesëmarrësit me përbërje nga etni të ndryshme të Kosovës përfshirë 130 shqipëtarë, 50 serbë, 35 boshnjakë, nëntë rom dhe tre turq u mblodhën në diskutime rreth lajmeve të rreme dhe çështjeve që rrjedhin si pasojë e shpërndarjes së lajmeve të rreme siç janë barazia gjinore, toleranca ndëretnike dhe dhuna nga bashkëmoshatarët. 

Numri fillestar i targetuar ishte 200 studentë, mirëpo D+ zgjeroi pjesëmarrjen në 227 studentë nga të cilët 137 ishin vajza dhe 90 djem. 

Më specifikisht, gjatë këtyre trajnimeve, pjesëmarrësit patën mundësi të mësojnë më shumë rreth identifikimit të lajmeve të rreme, funksionimit të mediave dhe “deep fake” përmes ueb-sajtit https://fakenews.dplus.org/, e cila i bëri trajnimet më atraktive duke mundësuar edhe qasjen në kuize. 

Pjesëmarrësit shfaqën interesim për temat e trajtuara në trajnime duke diskutuar dhe shtruar pyetje. Në fund disa nga pjesëmarrësit dhanë komentet e tyre në lidhje me trajnimet duke vlerësuar se kanë zgjeruar njohuritë e tyre rreth manipulimeve të mediave me lajme të rreme.

Ky aktivitet u mbështet nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.