Emir Sulagiq, i mbijetuar i masakrës së Srebrenicës dhe drejtor i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë

Cilat janë sfidat për të drejtuar Qendrën Përkujtimore në Srebrenicë?

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Emir Sulagiq, njëherësh i mbijetuari i masakrës së Srebrenicës, ka folur për sfidat që ka pasur derisa është bërë kjo qendër.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se si fabrikën e akumulatorëve të automjeteve e kanë shndërruar në Qendër Përkujtimore.

“Është e stërmadhe! Vetëm varrezat janë mbi 20.000 metra katrorë, si dhe pjesa sekulare, nëse mund ta quaj kështu, 120.000 metra katrorë. Kemi rreth 23.000 metra katrorë hapësira ekspozitash, si dhe diku nja 3-4000 metra katrorë të tjerë në hapësira administrative. Ka qenë faktikisht fabrikë e akumulatorëve të automjeteve, ju e keni vizituar, pra e dini se për çfarë po flas…” – tha Suljagiq.

Ai në këtë intervistë gjithashtu tha se kur u themelua qendra Përkujtimore, në 2004 nuk kishte përkrahje nga qeveria e Bosnje Hercegovinës.

“Është themeluar më 2004, më 2004 një grup i të mbijetuarve kishin hyrë aty, duke filluar punë. Megjithatë, nuk është se kanë pasur ndonjë përkrahje nga qeveria, për një kohë tejet të gjatë janë lënë vetëm, por ka pasur edhe shumë arsye të tjera për këtë punë, që të jem krejt i sinqertë. Në atë kohë, preokupimi, fokusi kryesor, i të gjithë neve në fakt, ka qenë që të gjenim mbetjet mortore të të dashurve tanë, e atëherë që t’i varrosim, e të kemi se ku t’i varrosim. Janë dashur pastaj gati një çerek shekulli, pak më pak, që të arrinim te momenti kur filluam të mendonim për atë se cila është historia që duhet ta tregojmë, cili është narracioni që duhet të krijonim”, – tha tutje ai.

Suljagiq ka thënë se kjo qendër të cilën ai e drejton, nuk do të mund të bëhej më herët.

“Gjeta një institucion që ishte goxha i rrënuar, i rrënuar fizikisht, gjeta një grup njerëzish që ishin që të gjithë të mbijetuar, që ishin goxha të deprimuar, sepse ishin nja 3 persona që mund të prisnin grupe, apo që të paraqisnin Qendrën Memoriale, e që në atë kohë, të flisnin për historitë e tyre personale kryesisht, sepse nuk kishte ndonjë përmbajtje të hartuar. E këtë filluam ta bënim, filluam të krijonim përmbajtje, filluam të mbanim ekspozita, filluam të bënim tregimet gojore, filluam krijimin edhe të një arkive, krejtësisht nga zeroja, filluam të mblidhnim artefakte, filluam të mblidhnim dokumente, dokumente gjyqësore nga gjykatat e Bosnjës e Hercegovinës, por edhe nga ish-Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Tani jemi në një pozitë ku po fillojmë një lloj procesi që në thelb është transferim i të gjitha arkivave që kanë të bëjnë me Bosnjën në këtë Qendër Memoriale” – shtoi ai

“Është përgjegjësi e imja në fakt, si dhe ka qenë përgjegjësi e imja për një kohë të gjatë. Ka qenë përgjegjësi e imja sepse aq shumë njerëz janë vrarë! Pra, po, nganjëherë e kam dëshirën që të ishin njerëz të tjerë që do ta bënin këtë punë, por e di që të tjerët mund të mos jenë gjallë. Pra, më pëlqeu apo jo, qoftë nëse më ritraumatizon apo jo, nëse më duket frustruese apo jo, më duhet të kthehem atje, më është dashur të kthehem aty” – tha ai.

Në korrikun e vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra e djem myslimanë.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, 11 Korriku, tashmë është shënuar në kalendarin zyrtar në faqen e OKB-së. Kjo pasoi pasi rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 23.05.2024. Për Rezolutën votuan 84 vende, 19 ishin kundër, ndërsa 68 abstenuan. Kalendari zyrtar i OKB-së e rendit 11 Korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë”.

Ndryshe Suljagiq qëndroi në Kosovë për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës si dhe ishte pjesë e hapjes së ekspozitës “Reportig House”.

Njëzet e pesë vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, Sulagiq ka ardhur në Kosovës për ekspozitën “Reporting House”, e cila ofron një pasqyrim të hollësishëm të luftës europiane që përmbylli shekullin e 20-të.

BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

Ekspozita e “Reporting House” u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë
e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.

Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vinë prej vendeve të ndrsyhme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Laura Imami dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll)
dhe Frontline News Television. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bouen, Ben Broun, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin,Eliza Hoxha, Paul Love, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andru Testa, Pal S. Refsdal, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Donika Shahini, Vaughan Smith, Nora Ueller, Sean Uhelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Srebrenica Memorial Center, Anibar and Oral History Kosovo.

Sfidat me të cilat u përballën gazetarët që mbuluan luftën në Kosovë rezonojnë edhe sot e kësaj dite, kur këtyre gazetarë ju duhet të mbulojnë luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan e Etiopi duke u përballur me propagandën dhe dezinformimin e zmadhuar nga mediat sociale.

Reporting House është hapur në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë u shndërrua në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Reporting House synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë
pësuar nga lufta në Kosovë dhe avokon për një të ardhme të paluftë.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi. Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artifakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television që punoi në Kosovë në 1998-1999.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit.