David Cameron viziton trupat britanike - pjesë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Foto: David Cameron/X

Cameron takon ushtarët britanikë pjesë e KFOR-it: Kanë rol thelbësor për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, lordi David Cameron, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka vizituar edhe pjesëtarët britanikë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gjatë vizitës së tij ai falënderoi trupat britanike për shërbimin dhe përkushtimin e tyre në mbështetje të sigurisë së Kosovës dhe rajonit.

“KFOR-i luan një rol thelbësor për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë në Kosovë, duke forcuar sigurinë dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin Perëndimor” – tha ai.

Ministri Cameron është takuar sot me homologen e tij kosovare, ministren Donika Gërvalla, e edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Cameron ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e madhe e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, teksa shtoi se Britania do të ndihmojë Kosovën në betejat për t’u njohur në forume ndërkombëtare.