Foto: Gent Cakaj/Facebook

Cakaj i uron suksese Vetëvendosjes dhe LDK-së në formimin e qeverisë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj i ka uruar suksese Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së në formimin e qeverisë së re.

Cakaj ka theksuar se bashkëpunimi i shtuar mes Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm për shkak të sfidave të shumta që qëndrojnë para tyre.

“Suksese VV dhe LDK në formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës! Në sfidat e shumta që qëndrojnë para nesh, bashkëpunimi i shtuar mes Kosovës e Shqipërisë është i domosdoshëm!”, ka shkruar Cakaj në Facebook.

Më tej, Cakaj ka shkruar se presin me padurim që të fillojnë bisedimet me Qeverinë e re të Kosovës për një program të përbashkët e në të mirë të dy vendeve.

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, gati 4 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019.

Sipas marrëveshjes së arritur, Qeveria e re do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Glauk Konjufca, i cili është zgjedhur më 26 dhjetor kryetar i Kuvendit, do të largohet nga kjo pozitë për të kaluar në ekzekutiv, kurse ulësja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do t’i kalojë LDK-së.

Po ashtu, çështja e presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, por për këtë do të merren vesh Mustafa e Kurti kur të vijë koha dhe t’i përfundojë mandati presidentit aktual.