Protesta e veteranëve të UÇK-së (06.06.2022)

BSPK reagon pas protestës së veteranëve për mospërfshirje në pagën minimale

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka reaguar sot pas protestës së veteranëve të UÇK-së të cilët protestuan për të kundërshtuar mospërfshirjen në Projektligjin për Pagat.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, njëherësh edhe kryesues i Këshillit Ekonomiko-Social (KES), ka thënë se propozimi i Pagës Minimale është përgjegjësi e KES-it.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK e përcolli me shqetësim protestën e sotme të Veteranëve të Luftës të cilët kërkuan që edhe ata të jenë pjesë e ligjit për pagën minimale. Informon opinionin e gjerë se KES-i ka mandatin ligjor të propozojë vlerën e pagës minimale të llogaritshme brenda Komisionit Profesional Trepalësh për Paga, Çmime dhe Pensione, dhe se rrugët e tjera nuk janë në rregull dhe janë joligjore dhe si të tilla vetëm sjellin pështjellime politike e sociale të panevojshme për të punësuarit e edhe për gjithë shoqërinë tonë që e do dhe e meriton qetësinë”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Hykolli në cilësinë e kryesuesit të KES-it do ta thërrasë urgjentisht takimin e Këshillit.

“Kryetari i BSPK-së në cilësinë e Kryesuesit të KES-it do ta thërrasë urgjentisht takimin e KES-it dhe ta përmbyllë çështjen e pagës minimale e cila do të dalë si propozim nga KES-i”, ka thënë Hykolli.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka protestuar sot para Kuvendit të Kosovës.

Veteranët kanë protestuar për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.

Kuvendi i Kosovës sot nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje në lidhje me votimin në parim të  projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

VIDEO – Policia përdor sprej ndaj veteranëve protestues