Katedralja Notre-Dame (2019) - Foto: REL/AFP

Brenda restaurimit 760 milionësh të katedrales Notre Dame

Maja e katedrales Notre Dame, u kurorëzua me një gjel të ri, katër vite pasi një zjarr goditi çatinë e monumentit 860-vjeçar në vitin 2019.

Gati 500 zejtarë janë të zënë me rindërtim, duke punuar për të siguruar që monumenti parisien të jetë gati për rihapjen e tij madhështore për publikun, më pak se një vit nga tani, raporton CNN.

“Është e mrekullueshme të shohësh se si diçka me një vlerë të tillë historike, po restaurohet”- tha Stephan Book, një turist që viziton Parisin nga Suedia me vajzën e tij dhe babain 80-vjeçar. “Dhe ambicia për t’i bërë të gjitha në pesë vjet”- vazhdoi ai, “është si kur Kennedy tha (njerëzit) do të shkonin në Hënë.”

Në një vizitë të fundit në kantierin e ndërtimit, presidenti i Francës, Emmanuel Macron premtoi se punimet ishin “në plan” që Notre Dame të hapej për publikun më 8 dhjetor të vitit 2024, pesë vjet e shtatë muaj pas zjarrit që shkatërroi pjesë të mëdha të 860-vjeçares.

CNN raporton se sipas rindërtimit të Notre Dame de Paris, ka rreth 250 kompani dhe punishte arti në të gjithë Francën të ngarkuara me “punë në rilindjen e katedrales”.

Këtu përfshihen marangozët, gurgdhendësit, skelat, skulptorët, arratuesit, qelqbërësit dhe madje edhe ndërtuesit e organeve, të cilët po restaurojnë 8000 tubacionet dhe 115 stacionet e organit të madh të Notre Dame, më i madhi në Francë .

Pas zjarrit të vitit 2019, dy vitet e para të punës iu kushtuan sigurimit të godinës, përfundimit të studimeve të projektit dhe dhënies së tenderëve. Më pas, faza e restaurimit filloi zyrtarisht në shtator 2021.

Në muajt e fundit, përparimet më të dukshme janë bërë në restaurimin e kornizës së çatisë, majës dhe galerive të mëdha të sipërme.

Alban Dubois, i cili punon si kamarier në Cafe Panis, përballë Notre Dame, ka vëzhguar ecurinë e përditshme nga dritaret e vendit të tij të punës.

Ai ishte duke shërbyer, ditën e zjarrit famëkeq, përderisa kujton se shikonte i tronditur teksa flakët rriteshin dhe dritaret e restorantit të tij nxeheshin gjithnjë e më shumë.

“Njerëzit u mblodhën (në restorant) dhe shikonin të pafuqishëm” -tha ai. “Disa njerëz po qanin… Ishte e gjitha shumë e trishtë.”

Tani, Dubois pret me padurim rihapjen e katedrales dhe parashikon që shumë njerëz do të ndalojnë për ta vizituar atë.

Gjeli i mëparshëm i majës së katedrales ishte gjetur i dëmtuar mes rrënojave , një ditë pas zjarrit.

Brenda tij ndodheshin eshtrat mortore të Saint Denis dhe Saint Geneviève, si dhe një fragment i kurorës me gjemba të Krishtit, të cilat mbetën të gjitha të paprekura dhe tani janë vendosur brenda gjelit të ri, sipas Dioqezës së Parisit.

Gjeli i vjetër – së bashku me gjashtë dritaret me njolla që do të zëvendësohen – do të vendoset në një muze të ri kushtuar Notre Dame, hapja e të cilit u njoftua së fundmi nga Macron.

“Do të jetë një muze arti, një muze historie, një muze për të përshkruar vendin e përhershëm të ndërtimit të Notre Dame de Paris”- tha Macron.

Kostoja e rindërtimit të katedrales Notre Dame pritet të jetë afërsisht 700 milionë euro (767 milionë dollarë). Në total, 846 milionë euro (928 milionë dollarë) u mblodhën në donacione nga 340,000 donatorë në 150 vende.