Ballina e librit “Zejet tradicionale të Kosovës”. Foto: KALLXO.com.

Botohet katalogu i zejeve tradicionale të Kosovës

Studiuesi Valon Shkodra ka botuar ditë më parë katalogun “Zejet tradicionale të Kosovës”.

Botimi i këtij katalogu është vazhdimësi e një pune të gjatë hulumtuese në terren të bërë nga autori për njohjen, evidencimin dhe fotografimin e zejeve tradicionale që ushtrohen në Kosovë. Ky katalog përmban 260 fotografi të rreth 70 zejeve nga 13 qytete të Kosovës.

Sipas autorit, këto zeje, si vlera të artit popullor të përcjella nga brezat e mëhershëm, ruajnë shumë kujtime, ngjarje dhe nostalgji për historikun e popullit tonë.

Zhvillimi i një cilësie të lartë në veprat e prodhimtarisë së zejtarëve, sipas autorit Shkodra, tregon për konkurrencën mes tyre, që ka ngritur cilësi dhe ka sjellë prurje të reja në vend dhe për numrin e lartë të zejtarëve në Kosovë, të njohura edhe përtej vendit tonë. Prania e dikurshme e çarshive në qytetet e Kosovës, si në Pejë, Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Gjilan, Vushtrri, Kaçanik, Mitrovicë, na kthejnë në histori për disa shekuj mbrapa.

Rrethanat shoqërore-politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova në periudhat e mëpastajme nuk ishin fare të favorshme për zejet dhe zejtarët.

“Veçmas në shekullin të cilin e lamë pas, veçanërisht në periudhën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, ku forcat policore dhe ushtarake serbe dogjën shumë punëtori dhe dyqane tregtare, duke bërë që disa zeje të mos ushtrojnë veprimtarinë dhe të mbyllin ciklin e tyre”-ka thënë Shkodra për KALLXO.com.

Pas luftës, vetëm një numër i kufizuar i zejeve tradicionale zhvillohen në Kosovë.