Ballina e librit ‘Zejet tradicionale të qytetit të Prishtinës’. Foto: KALLXO.com
Botohet katalogu i zejeve të Prishtinës
Etnologu Valon Shkodra ka botuar kohë më parë katalogun e zejeve të Prishtinë, “Zejet tradicionale të qytetit të Prishtinës”.
Ky katalog ofron të dhëna me rëndësi dokumentare e faktografike për zejet që janë zhvilluar për shekuj me radhë në Prishtinë.
Shkodra ka identifikuar rreth tridhjetë lloje të zejeve, pak prej të cilave vazhdojnë të jenë aktive edhe sot.
“Ndryshimet e mëdha të teknologjisë dhe zhvillimet e hovshme kulturore që kanë ndodhur sidomos në dy dekadat e fundit, kanë ndikuar dukshëm në veprimtarinë artizanale, aq sa disa prej tyre kanë mbyllë ciklin e tyre dhe kanë filluar që të mos përdoren, e disa të tjera tashmë kanë shkuar në histori”, ka thënë Shkodra.
Në katalogun “Zejet tradicionale të qytetit të Prishtinës”, janë prezantuar gjithsej 113 fotografi të ndryshme të zejeve dhe lagjeve të Prishtinës, të cilat janë realizuar nga puna e autorit në terren dhe në institucionet shkencore dhe kulturore të Kosovës.
Shumë prej të dhënave për përmbledhjen e historikut të zejtarisë në Prishtinës, siç potencon edhe vet Shkodra janë siguruar edhe në arkivat personale të zejtarëve, familjarëve dhe pasardhësve të tyre.