Turqia pro anëtarësimit të Suedisë në NATO, ShBA e ri-konsideron vendimin për shitjen e aeroplanëve F-16

Turqia ka kërkuar prej kohësh blerjen e 40 F-16 nga SHBA dhe bisedimet e reja me Uashingtonin po bëhen pasi Ankaraja zyrtare i dha fund kundërshtimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, e ka diskutuar mbështetjen për modernizimin ushtarak të Turqisë në një telefonatë me ministrin turk të Mbrojtjes Yasar Guler, thuhet në një njoftim të Pentagonit të hënën vonë.

Kjo vjen pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u pajtua që ta dërgojë për miratim në parlament protokollin e pranimit të Suedisë për anëtarësimin në NATO.

Qëndrimi i SHBA-së për modernizimin ushtarak të Turqisë

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden e ka mbështetur dëshirën e Turqisë për t’i blerë 40 aeroplanë të rinj luftarakë Lockheed Martin Corp F-16 së bashku me kompletet e modernizimit për aeroplanët e saj ekzistues luftarakë nga SHBA.

“Jam gati të punoj me Presidentin Erdogan dhe Turqinë për rritjen e mbrojtjes dhe parandalimit në zonën euro-atlantike” – deklaroi Biden të hënën.

Megjithatë, disa në Kongres, kryesisht Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Bob Menendez, e kanë kundërshtuar vendimin lidhur me bllokimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO nga Turqia, të dhënat e saj të të drejtave të njeriut dhe marrëdhëniet e saj me Greqinë, mes shqetësimeve të tjera.

Mendez, demokrat, thotë se ai “po vazhdon të ketë rezerva” në lidhje me sigurimin e aeroplanëve luftarakë në Turqi.

“Nëse ata (administrata e Bidenit) mund ta gjejnë një mënyrë për të siguruar që agresioni i Turqisë kundër fqinjëve të saj të pushojë, ashtu sikurse po ka një qetësi muajt e fundit, kjo është e mrekullueshme, por duhet të ketë një realitet të përhershëm.”

Menendez shtoi se duhet të ketë një mënyrë për ta “përforcuar sigurinë e Greqisë” dhe për të marrë “garanci për veprimet e ardhshme”.

Çfarë tha Turqia për aeroplanët F-16 nga SHBA?

Ndërkohë, presidenti turk Erdogan tha të hënën se ratifikimi nga vendi i tij i ofertës së Suedisë për anëtarësim në NATO dhe shitja e aeroplanëve F-16 nuk duhet të ndërlidhen me njëri-tjetrin.

Ai i bëri këto komente përpara se të nisej për në samitin e NATO-s në Vilnius.

Erdogan pritet të zhvillojë bisedime të mëtejshme me presidentin Biden në takimin për blerjen e aeroplanëve luftarakë F-16./Deutsche Ëelle

Përgatiti: Nuhi Shala