Ministria e Mbrojtjes e Rusisë: Ukraina ka nisur ofensivë sulmuese në rajonin Donetsk

Ministria ruse e mbrojtjes ka deklaruar të hënën se Ukraina e ka nisur një sulm “të madh” në rajonin e Donetsk, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.

Ministria në fjalë ka thënë se Ukraina e ka nisur sulmin duke përdorur gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy batalione tankesh, mirëpo forcat ruse e kishin penguar këtë sulm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar në një intervistë të publikuar të shtunën se Ukraina është gati ta nisë kundërofensivën e saj të shumëpritur për ta rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.

“Ne besojmë fuqishëm se do të kemi sukses”, ka deklaruar Zelenskiy.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë janë si në vijim:

Një vajzë dyvjeçare është gjetur e vdekur nën rrënojat e një shtëpie pas një sulmi me raketa që goditi disa ndërtesa pranë qytetit qendror të Ukrainës, Dnipro, thuhet në një njoftim të bërë nga guvernatori rajonal Serhiy Lysak. 22 persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë pesë fëmijë.

Rusia nisi një valë sulmesh ajrore në Ukrainë herët të dielën në mëngjes, por zyrtarët ushtarakë të Kievit thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore zmbrapsën të gjitha raketat dhe dronët në afrimin e tyre drejt kryeqytetit. E gjithë Ukraina ishte nën alarmin e sulmit ajror për gati tri orë.

Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se forcat e saj kanë përdorur artileri për ta zmbrapsur një inkursion ndërkufitar nga diversantët ukrainas, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax. Guvernatori i rajonit Belgorod të Rusisë tha më herët të dielën se luftimet me një “grup diversant ukrainas” po zhvillohen në qytetin Novaya Tavolzhanka, pranë kufirit me Ukrainën.

Oleksandr Kamyshin, ministri i industrive strategjike të Ukrainës ka shprehur “mosbesim” pasi mësoi se gati gjysma e strehimoreve me bomba në Kiev të inspektuara gjatë një kontrolli fillestar ishin të mbyllura ose të papërshtatshme për përdorim. Kamyshin tha të dielën se nga 1078 strehimore të ekzaminuara ditën e parë, 359 ishin të papërgatitura dhe 122 të tjera të mbyllura, ndërsa 597 u gjetën si të përdorshme.

Kremlini zyrtar ka thënë se çdo furnizim me raketa me rreze të gjatë veprimi për Kievin nga Franca dhe Gjermania do të çonte në një raund të mëtejshëm “tensioni spiral” në konfliktin në Ukrainë. Britania muajin e kaluar u bë vendi i parë që e furnizoi Ukrainën me raketa navigimi me rreze të gjatë.

Zelenskiy ka thënë se lufta e Rusisë, tashmë në muajin e saj të 16-të, ka  lënë të vrarë të paktën 500 fëmijë ukrainas. Është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i fëmijëve që janë bërë viktima, megjithatë, për shkak të luftimeve të vazhdueshme dhe për shkak se disa zona janë nën pushtimin rus, tha ai./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala