Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Borxhet u rritën për 1.3 milion euro, Komuna e Pejës kurrqysh t’i mbledhë ato

Komuna e Pejës assesi t’i mbledhë borxhet e saj nga qytetarët.

Shuma e borxhit që qytetarët i kanë Komunës është mbi 17.6 milionë euro, apo 1.3 milion euro më shumë në krahasim me vitin 2017.

Pjesa dërrmuese e këtij borxhi është nga tatimi në pronë.

Lidhur me borxhin, Komuna u është drejtuar përmbaruesve.

Auditori gjeti se borxhi i qytetarëve që i kanë Komunës së Pejës është rritur mbi 1.3 milion euro.

“Me ligjin për tatimin në pronë janë përcaktuar afatet kohore të pagesave të tatimit. Ne kemi verifikuar se të arkëtueshmet e Komunës krahasuar me vitin paraprak ishin rritur për 1,353,770€, prej tyre rritja më e madhe ishte te tatimi në pronë në vlerë prej 1,293,190€ dhe trendi është në rritje të vazhdueshme. Megjithatë, Komuna kishte ndërmarrë veprime përmes përmbaruesve dhe kishte lidhur marrëveshje me konsumatorë për pagesën me këste të borxheve. Efektet në mbledhjen e të arkëtueshmeve priten të reflektojnë në vitet në vijim”, thuhet në gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Raporti tregon se niveli i lartë i të arkëtueshmeve dhe joefikasiteti në mbledhjen e tyre mbeten sfidë edhe për periudhën e ardhshme.

Sipas Auditorit, mosarkëtimi i të arkëtueshmeve rrezikon që ato të vjetërsohen dhe të bëhen të pambledhshme, duke krijuar një humbje të drejtpërdrejtë financiare për Komunën.

Auditori i rekomandoi kryetarit të merren veprimet e nevojshme për inkasimin e borxheve.

“Kryetari duhet te sigurojë që po shqyrtohen në mënyrë aktive të gjitha opsionet e mundshme, duke vendosur politika me qëllim të rritjes së efikasitetit në mbledhjen e të arkëtueshmeve. Po ashtu, duhet shqyrtuar të gjitha masat në pajtim me ligjin, ndaj operatorëve të cilët nuk i përmbushin obligimet kontraktuale”, rekomandon Auditori.

Shuma e borxhit që qytetarët i kanë Komunës së Pejës është 17 milionë e 635 mijë e 880 euro, ku nga tatimi në pronë 10 milionë e 708 mijë e 700 euro, ngarkesa për afarizëm të bizneseve 6 milionë e 391 mijë e 30 euro , kërkesat nga paditë gjyqësore 495 mijë e 140 euro, dhënia në shfrytëzim e pasurisë me qira 38 mijë e 940 euro dhe çerdhja e fëmijëve 2 mijë e 70 euro.

Përmes letër-konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kreu i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri konfirmoi se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit  të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2018 për Komunën e Pejës.