Borrell: Zbatimi i shpejtë dhe i plotë i Marrëveshjes Kosovë-Serbi është rruga e vetme drejt normalizimit

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen sa më shpejt.

Në konferencë për media, pas takimit të ministrave të Jashtëm, kryediplomati evropian ka thënë se rruga e vetme për të dy vendet drejt Bashkimit Evropian është bashkëpunimi.

“Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i Marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë dhe astmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset. Të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara”- ka thënë Borrell.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një Marrëveshje për normalizim më 17 shkurt të këtij vitit, ndërsa më 18 mars në Ohër palët janë dakoruar për udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Për asnjërën nga këto marrëveshje/dakordime nuk janë hedhur nënshkrime nga Kosova dhe Serbia, mirëpo BE dhe SHBA-të vazhdimisht kanë deklaruar se këto janë obligime që duhet përmbushur nga të dy vendet.

Më 2 maj në Bruksel është mbajtur një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e ekipit menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Qeveria ka prezantuar një version të saj për draftin e statutit të Asociacionit.

Bashkimi Evropian por edhe SHBA-të vazhdimisht i kanë bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Hovenier: Çështja e asociacionit urgjencë për qeverinë, duam të jetë brenda Kushtetutës