Borrell pas takimeve me Kurtin e Vuçiqin: Rruga drejt stabilitetit është përmes dialogut

Përfaqësuesin i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell është deklaruar sot, më 17.02.2024, për takimet që pati një ditë më parë, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Borrell tha se stabiliteti i qëndrueshëm dhe paqja në rajon mund të arrihen vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Rruga drejt kësaj është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”- ka shkruar ai në rrjetin social x (ish-Twitter).

Këto takime u realizuan në kuadër të Konferencës së Sigurisë, në Mynih të Gjermanisë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës më 16.02.2024 njoftoi se Kurti në këtë takim ka kërkuar heqjen e masave kufizuese të vendosura nga BE-ja.

Sipas kërtij njoftimi, ata kanë biseduar për procesin e dialogut, zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Që nga data 28.06.2023, Bashkimi Europian ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri.

Ndonëse zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, nuk i kishte quajtur sanksione, por ai kishte konfirmuar më 14.06.2023 se shtetet anëtare të BE-së janë dakorduar që të vendosin “masa kufizuese” me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës.

Sipas tij, 27 shtetet anëtare të BE-së kanë kërkuar nga palët shtendosje të menjëhershme të situatës në veri.

Tensionet ndëretnike ishin ngritur që nga data 24.05.2023, kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Kryesues të Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve europiane kanë kërkuar të hiqen të gjitha masat negative të vendosura ndaj Kosovës dhe që të rinisë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.

Kryesuesit një gjë të tillë e kërkuan përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Borrell dhe Lajçak, më 13.12.2023.

Drejtuesit e komisioneve parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Kroacisë, Çekisë, Republikës së Irlandës, Belgjikës, Bullgarisë dhe Danimarkës, theksojnë në këtë letër se bojkotimi i zgjedhjeve komunale më datë 23.04.2023 me kërkesë të Listës Serbe, sulmi ndaj KFOR-it më 29.05.2023, ndalimi i paligjshëm i zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet serbe më 14.06.2023, dhe sulmi në Banjskë më 24.09.2023 zbulojnë një skemë agresioni që ka për synim minimin dhe destabilizimin e Kosovës.