KEK

Bordi i përkohshëm i KEK-ut dërgon në Prokurori informacione për keqpërdorime - DOKUMENT

Bordi i përkohshëm i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka dërguar informacione në Prokurori dhe Polici për dyshimin e mundshëm për tri vepra penale të kryera nga zyrtarë të lartë dhe përgjegjës të kësaj korporate.

Në letrën që KALLXO.com ka siguruar, Bordi ka gjetur se zyrtarët kanë kryer veprat penale siç janë: “Keqpërdorimi i Autoritetit Zyrtar”, “Lidhja e Kontratave të dëmshme” si dhe “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.

Në letrën drejtuar institucioneve të drejtësisë, thuhet se më 11 dhjetor 2019 KEK ka lidhur kontratë të dëmshme e cila nuk ka qenë e paplanifikuar me planin vjetor të prokurorimit e për të cilën nuk është paraparë buxhet dhe ndryshimi i buxhetit – rishikimi i tij është bërë në kundërshtim me procedurat për rishikimi të buxhetit për çështje jo urgjente.

Si rrjedhojë sipas tyre, kjo kontratë “e dëmshme” ka arritur shifrën në vlerë prej 1,000,000.00 euro në dëm të KEK-ut.

Më tej, në të gjeturat e Bordit të përkohshëm thuhet se kanë hasur edhe në shkelje të Ligjit të Punës.

“Punësimin e personave mbi moshën 65 vjeçare dhe mbajtjen e tyre me vite në punësim të jashtëligjshëm pas pensionimit duke i shkaktuar ndërmarrjes KEK, dëmtime financiare si pasojë e kontratave të kundërligjshme të punës në vlerë rreth 270,000.00 euro”, thuhet në letrën që KALLXO.com ka siguruar.

Gjithashtu, thuhet se kanë hasur edhe në avancimet në pozita – pa procedura dhe nepotizëm.

Sipas të gjeturave të tyre, punësimet dhe gradimet me theks të veçantë në periudhën 2018 – 2020, në shumë raste janë bërë në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore në fuqi, sipas tyre, për të favorizuar të afërm dhe familjarë.