Foto: Dega e PDK-së në Obiliq/Facebook

Hulumtimi i BIRN-it: Bordi i përkohshëm i KEK-ut gjen shkelje për emërimin politik të ish-zv/drejtorit

Bordi i përkohshëm i KEK-ut ka dërguar informacione në Prokurori dhe në Polici nën dyshimin se ish-zëvendësdrejtori i kësaj korporate ishte zgjedhur në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

BIRN vitin e kaluar kishte monitoruar këtë rekrutim nga e cila kishte publikuar edhe hulumtimin se zv.drejtori Nystret Kelmendi ka të shkuar politike.

Ndërkohë në letrën që KALLXO.com ka siguruar të Bordit të përkohshëm të KEK-ut thuhet se ish-zv.drejtori dhe sekretari i korporatës/këshilltarit të përgjithshëm kanë qenë të emëruar politik dhe kandidatë në listat zgjedhore në një subjekt politik në vitin 2017.

Pozita e zv.drejtorit të një ndërmarrje publike, me Ligjin për ndërmarrjet publike konsiderohet zyrtar i lartë i ndërmarrjes. E Ligji kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjes duhet të jenë të pavarur, njëjtë sikur anëtarët e bordit të KEK-ut.

Nysret Kelmendi ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit në mandatin e kaluar, pasi PDK-ja ka bashkëqeverisur me kryetarin Xhafer Gashi. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në Kosovë në tetor të vitit 2017, Kelmendi ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit nga radhët e PDK-së.

Kelmendi bashkë me drejtorin Nijazi Thaçin janë shkarkuar nga Qeveria Kurti.

KALLXO.com raportoi sot edhe të gjeturat të tjera që ka hasur Bordi i përkohshëm i KEK-ut.

Hulumtimin e plotë të KALLXO.com mund ta lexoni në këtë link.