Antony Blinken - Foto: VOA/Reuters

Blinken: NATO-ja është e bashkuar

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka deklaruar se në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s që u mbajt dje e sot në Bruksel, është diskutuar edhe se si të ndihmohet Ballkani Perëndimor për një të ardhme euroatlantike.

Takimi i ministrave sipas Blinken, ka konfirmuar se NATO-ja është e bashkuar.

“Aleanca e NATO-s është e bashkuar. Ne folëm për shumë tema në terren gjatë takimit të ministrave të Jashtëm – nga pritshmëritë tona në Samitin e Uashingtonit vitin e ardhshëm, në mënyrat se si mund të thellojmë partneritetin tonë me Ukrainën, deri tek mënyra se si mund të ndihmojmë në mbështetjen e të ardhmes euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”-ka shkruar Blinken në platformën X.

Në Maqedoni të Veriut janë rritur masat e sigurisë në prag të fillimit të Samitit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ky samit është i rëndësishëm veçanërisht për shkak të pjesëmarrjes së paralajmëruar të shefit të diplomacisë amerikane, Antony Blinken, dhe kryediplomatit rus, Sergei Lavrov.

Këshilli i Ministrave të OSBE-së pritet të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, 2023.