Blerta Deliu: Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu së marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Uashington është juridikisht e pavlerë.

Deliu-Kodra tha se kryeministri, Albin Kurti duke e kontestuar vlefshmërinë juridike të kësaj marrëveshje shpalli armiqësore, Shtëpinë e Bardhë.

“Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Kujtojmë, po ashtu, se po në atë Shtëpi të Bardhë, pa kaluar nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, Presidenti amerikan i asaj kohe mori vendimin historik për të shporrur forcat gjenocidale të Serbisë dhe ndihmuar luftën e nisur të popullit të Kosovës për çlirim”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së shtoi se përpjekjet për të armiqësuar marrëdhëniet me ShBA-në janë të rrezikshme duke shtruar se ShBA-të janë e vetmja garanci, të cilës populli i Kosovës i beson.

Edhe Ish Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë.

Çitaku ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës ka ndonjë dilemë sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit atë duhet t’a adresojë përmes kanaleve diplomatike dhe jo në rrjete sociale duke shtuar se zotimet me SHBA-në nuk janë ‘lojë fëmijësh’.

Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?