Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Bislimi: Pyeteni Lajçakun pse nuk i ka qëndruar besnik deklarimit për draftin e Asociacionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi thotë që pyetja se pse nuk i ka qëndruar besnik qëndrimit të tij për shkrimin e draftit për Asociacionin e komunave me shumick serbe, duhet t’i drejtohet emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Ju keni konstatime në media që Lajçaku që thotë që “kurrë BE-ja nuk do ta shkruaj draftin por është detyrë e Kosovës kur të vijë momenti’, pyetjen duhet t’i drejtoni Lajçakut, pse ai nuk i ka qëndruar besnik këtij konstatimi që e ka nxjerrë në media” – tha Bislimi në konferencë për media.

Bislimi tha që aneksi implementues i marrëveshjes kërkon që të gjitha të zbatohen në tërësi, në mirëbesim, pa shtyrje pa parakushte. 

“Hapi i parë në të cilin është duke punuar Kosova me Bashkimin Evropian është dizajnimi i planit të sekuencimit të zbatimit. Vetëm atëherë mund të themi kur në këtë sekuencim të këtij zbatimi duhet të merremi me draft-statustin apo ngjashëm”- shtoi Bislimi.

Sipas tij, rrjedhim i çdo kërkese që Qeveria e Kosovës të merret me punën e dhjetë para punës së parë është e palogjikshme. 

Bislimi përsëriti që marrëveshja bazike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi i ka 11 paragrafe dhe asnjë prej këtyre paragrafeve nuk e mbizotëron paragrafin tjetër. 

Më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq arritën Marrëveshjen drejt normalizimit. Më 18 mars, në Ohër palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes. 

Megjithatë, marrëveshja nuk është nënshkruar nga palët, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar duke argumentuar se “Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova jo”.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Një ditë pas takimeve në Bruksel, Franca, Gjermania dhe Italia i kërkuan Serbisë që të njohë de facto Kosovën dhe që Kosova të formojë Asociacionin.