Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bislimi: Listës Serbe nuk i interesojnë serbët e Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi në RTK Prime, se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet temë e përhershme e bisedimeve në Bruksel.
Ai tha se çështja e të pagjeturve nga lufta nuk është neglizhuar por vazhdimisht insistohet.
Bislimi deklaroi se z. Andin Hoti vazhdimisht është prezent me të në Bruksel dhe kjo temë nuk ka datë të caktuar, por vazhdimisht është çështje që kërkohet të zgjidhjet nga pala kosovare.
Bislimi për RTK: Edita Tahiri ra në kurth për energjinë
Në mesin e shumë çështjeve për të cilat foli, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk la pa përmendur edhe qeveritë e kaluara për të cilat tha se kanë dështuar në mënyra të ndryshme sa i përket çështjes së dialogut.
Duke mos e cilësuar si dështim por më shumë se kurth, Bislimi i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, në intervistë për RTK Prime, deklaroi se ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, ka rënë sipas tij në kurth nga pala serbe.
Bislimi tha se Tahiri është dakorduar për një dokument për energjinë në Bruksel, në të cilin shkruan se çdo pasuri në Kosovë i takon Serbisë.
“Në një dokument për energjinë, në faqen e dytë shkruan se cdo pasuri në Kosovë është pronë e Serbisë”, deklaroi Bislimi, sipas të cilit, kjo është në formë të ‘disclaimer” (kjo shprehje përdoret nga palët në bisedime kur nuk pajtohen mes vete, por pajtohen që qëndrimet e të dy palëve të jenë prezent në letër).
“BE tash thotë se ju keni vendosur në një dokument dy rreshta ku nuk pajtoheni për një temë”, thotë Bislimi.
“Mu pse Brukseli u referohet të dyjave, thotë se çështja e pronës duhet të flitet në Bruksel”.
Bislimi për RTK: Udhëtova në Londër për Asociacionin
Për temën e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se është interesuar të kuptojë më shumë për këtë çështje.
Bislimi i cili është edhe kryenegociator i Kosovës për dialogun Kosovë- Serbi, u shpreh se për Asociacionin ka udhëtuar edhe në Londër, ku ka takuar baroneshën Catherine Ashton, ish shefe e BE-së për Politike të Jashtme e Sigurisë, në kohën e së cilës janë nënshkruar disa marrëveshje, mes të cilave edhe ajo për Asociacionin.
“Unë kam bërë një udhëtim për në Londër, ku kam bërë një takim me Ashton, dhe kam biseduar se çfarë ka qenë ideja e Asociacionit”, tha Bislimi në RTK Prime.
Sipas Bislimit, nga ky takim me Ashton, ka kuptuar se ka shpërputhuje të mëdha mes asaj se çka është diskutuar në Bruksel për Asociacion si ide, me atë se çfarë propagandon Serbia tek vendet tjera në lidhje me të.
“Asociacioni nuk ka pas kurrë idenë të bëhet mbrojtës i drejtave të serbëve, gjykatat janë mbrojtës të të drejtave, dhe jo OJQ-të”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Bislimi: Listës Serbe nuk i interesojnë serbët e Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në intervistë për RTK Prime, foli edhe për Listën Serbe dhe kërcënimin saj se do ta rrëzojë qeverinë Kurti.
Bislimi thotë se kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq që është edhe ministër për Kthim dhe Komunitete, nuk është duke punuar për të mirën e serbëve të Kosovës.
Ai tha se nuk e mban mend se kur Rakiq ka qenë në ndonjë mbledhje të Qeverisë apo që ka propozuar diçka për të mirën e qytetareve serbë të Kosovës.
Bislimi u shpreh se nuk ka nevojë të shkarkohet Rakiq, pasi Qeveria po e dekonspiron atë ditë për ditë.
Sipas tij, kabineti qeveritar ka 18 anëtarë të kabinetit dhe është apo nuk është Rakiq në qeveri, nuk ka fare rëndësi.
“Qeveria e Kosovës ka 18 anëtarë të kabinetit. 15 ministra. 2 zv/kryeministra dhe një kryeministër. Në kushte normale këta janë anëtarët e kabinetit”, thotë Bislimi.
“Unë mendoj se kjo është mënyra më e mirë se si të i tregojmë serbëve të Kosovës që Lista Serbe nuk ka interes fare mirëqenien e tyre, po Rakiq ka interes të marrë mëditjet me paraqitje në Serbi”, thotë Bislimi.
Ai tregon se për momentin, 100% e vende që përfaqësojnë interesat e vendeve të serbëve janë të okupuara nga Lista Serbe.
“Po të kishte një deputet serb tjetër, ai do të ishte zgjidhja jonë pasi interesi ynë është të shtyjmë përpara interesin serb”.
Zëvendëskryeministri u shpreh se për të treguar se Lista Serbe është e Beogradit dhe jo serbëve të Kosovës, janë Rakiq dhe Radojçiq.
“Radojçiqin e ka dekonspiruar lista e zezë e SHBA-së ndërsa Rakiqin po e dekonspirojmë ne çdo ditë”.
Bislimi: Asociacioni është temë më shumë e mediave
Zv/Kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, deklaroi se në Bruksel, asnjëherë nuk është diskutuar për Asociacionin. Sipas tij, kjo temë më shumë diskutohet në medie. Në intervistë për emisionin “RTK Prime”, Bislimi foli për të vetmin rast kur me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e kanë diskutuar këtë temë.
“Asociacioni është përmendur vetëm në takimet e mia kokë më kokë me zotin Lajçak, ku unë kam kundërshtuar faktin që Brukseli me shumë lehtësi, del prononcohet për nevojën e krijimit të Asociacionit, por nuk prononcohet për mos respektimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë”, thotë Bislimi në këtë intervistë.
Ai tregon se marrëveshja e parë për Asociacionin, është nënshkruar në vitin 2013, pastaj në 2015-ën e dyta, por marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, është nënshkruar në 2011.
“Në qoftë se në Bruksel, marrëveshjet nuk janë ranguar asnjëherë për nga rëndësia, atëherë pse bëhet temë Asociacioni e nuk bëhet temë Menaxhimi i Integruar i Kufijve”, pyet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke dhënë edhe përgjigje.
“Përgjigjja e Lajçakut është se ‘ju merreni me Kosovë dhe deklaroheni në Kosovë. Ne deklarohemi sepse na bëjnë pyetje mediat, dhe më shumë është interesimi i mediave në Kosovë për këtë, sesa i takimeve në Bruksel”, thotë Bislimi.
Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, nuk mund të ketë as nuk do të ketë kompromis deri në njohjen reciproke.
Gjatë intervistës, Bislimi ka cituar Borrellin, shefin e BE-së për Politike të Jashtme e Siguri të BE-së, se çka ka shkruar ai në kërkesën e parë
“Shpenzimi i një viti kohë, duke u marrë me çështjet e së kaluarës, në vend se të merremi me peizazhin e madh dhe të ardhmen tonë, mendoj që është më se mjaftueshëm”, kishte shkruar Borrell, citoi Bislimi duke thënë se mund të mos jetë përkthim adekuat.
Ai tha se kjo nënkupton që ka ardhur koha që të mos merremi më me çështjet e kaluara, por me të ardhmen peizazhin e madh, pra marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Bislimi shpjegon si ndodhi reciprociteti dhe përse u shty zbatimi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur në emisionin ‘RTK Prime”, shpjegoi edhe situatën në raport me BE-në, pas vendimit të Qeverisë, për vendosjen e masës së reciprocitetit. Bislimi deklaroi se në momentin kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin, BE-ja ka qenë në rregull me ketë veprim.
“E vetmja brengë që ka ekzistuar është se në ç’masë Ministria e Punëve të Brendshme, disponon me kapacitete të mjaftueshme që të akomodojnë 9 mijë kërkesa eventuale për regjistrim të veturave brenda një periudhe dy mujore”, thotë Bislimi, sipas të cilit, këtë brengë, qeveria e ka shmangur duke treguar se në rast se procesi nuk mund të përfundojë me 30 shtator, për shkak të mungesës se kapaciteteve të autoriteteve shtetërore, atëherë me shumë dëshirë do të zgjatet afati në mënyrë që assesi, problem të mos jenë kapacitetet e shtetërore.
Zv/kryeministri Bislimi tutje tha se Qeveria ka pasur argumentimin ndërkombëtar se masa është legjitime, është në pajtim me marrëveshjet e dialogut dhe që nuk ka asnjë brengë.
“Por fatkeqësisht me 31 korrik, ne na ka ardhur një kërkesë nga Brukseli, përkatësisht nga zoti Borrell që masa të shtyhet”, thotë Bislimi.
“Personalisht mendoj që nuk ka qenë kërkesë qellim mirë dhe nuk ka qenë mjaftueshëm e argumentuar”.
Sipas Bislimit, argumentimi i kërkesës nga Borrell ka qenë se do të ketë tensione dhe që ka shumë dezinformata në veri, prandaj ka nevojë edhe për një fushatë pak më të gjatë të argumentimit.
“Edhe pse aty shprehet ndoshta frikë, sepse shtyrja jo domosdoshmërish do të ndihmojë në shmangien e këtij argumenti të mos informimit. Kjo nënkupton që Brukseli e ka të ditur se tensioni nuk është i krijuar në vend nga ana e qytetarëve, por është i importuar nga qendra e Serbisë, që nënkupton se ne fakt, shtyrja prej 30 ditësh të përdoret më shumë që politikisht t’i bëhet më shumë presion Vuçiqit, që të mos bëjë organizime apo inskenime të skenarëve të tillë”, thorë Bislimi.
Bislimi shpjegon reciprocitetin për dokumentet dhe targat
(Plotësuar) Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në intervistë për RTK Prime, shpjegon situatën e fundit me targa dhe dokumentet hyrje-dalje. Bislimi shprehet se dy vendimet e që janë marrë për t’u zbatuar nga 1 gushti, përbejnë zbatim të disa elementeve që është dashur të zbatohen vite më parë.
Ai thotë se njëra prej tyre është dashur të zbatohet më shumë se një dekadë me parë, por sipas tij, nuk ka pasur vullnet nga pala kosovare, që këto vendime të zbatohen.
“Janë vendime që janë nënshkruar në Bruksel, por që janë zbatuar njëanshëm vetëm nga ana e Serbisë”, thotë Bislmi në RTK Prime.
“Dokumenti për hyrje/dalje është dashur të aplikohet që nga gushti i vitit 2011. Serbia ka aplikuar, njëherësh prapë në kundërshtim me provizionet e marrëveshjes së 2 korrikut 2011, e Kosova ka hezituar apo nuk ka treguar gatishmëri që të njëjtin ta implementoë dhe kjo është dashur të fillojë nga 1 gushti, dhe ka filluar faktikisht”, deklaron Bislimi për RTK-në.
Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës që është edhe shef i delegacionit kosovar për dialogun me Serbinë, vendimi i dytë që ka të bëjë me regjistrimin apo konvertimin e targave të veturave ilegale, në vetura me tabela RKS, sipas marrëveshjeve të Brukselit, ky proces është dashur të përmbyllet me 15 janar të vitit 2018.
“Vendimet janë pasojë e paaftësisë, mos vullnetit të qeverive të mëparshme që t’i jetësojnë ato, që vetë i kanë nënshkruar në Bruksel”, thotë Bislimi.
Ai tregon se ka pasur presion edhe në të kaluarën që të mos zbatohen këto vendime për shkak të mënyrës se si funksionon shteti serb, në zbatimin e marrëveshjeve.
“Nuk mund të themi se në të kaluarën ka pasur presion, për arsye se nuk janë marrë vendimet. Ne kemi marrë vendimin, kemi caktuar datat dhe kemi qenë të gatshëm si me resurse humane ashtu edhe me teknologji, që procesi të fillojë në kohë, dhe po ashtu kemi marrë masa që qytetarët të informohen për këto masa”, thotë ai.
Ai deklaron se vendimet që qeveria e Kosovës ka marrë në shtator të vitit 2021, për vendosjen e reciprocitetit me targa, ka pasur një brengë të QUNT-it se i njëjti ishte jo plotësisht i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.
“Në të njëjtën kohë ka qenë ndoshta i tillë që nuk ka lejuar një hapësirë kohore të mjaftueshme për akomodim të qytetarëve me vendimet e reja”, rikujton ai.
“Kësaj radhe ne i kemi adresuar këto brenga dhe fillimisht jemi takuar me QUNT-in dhe me Bashkimin Evropian, ku i kemi njoftuar për masat që duhet t’i ndërmarrim dy-tre ditë para se të merren vendimet, dhe pas marrjes së vendimeve, kemi lënë 32 ditë kohë për informim të qytetarëve, në mënyrë që asnjëri prej argumenteve të mos mund të përdoret serish”.
Bislimi: E çuditshme, Borrell ndryshoi letrat që na dërgoi
Zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në intervistë për RTK-në në emisionin “RTK Prime” të drejtuar nga gazetarja Fitore Rexhepi, tregon detaje të tjera, të situatës me reciprocitetin, që ishte të dielën e kaluar.
Bislimi deklaron se Kosova i është përgjigjur letrës së Josep Borrell, Përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, duke ia sqaruar se fushata informuese për qytetarët serbë të Kosovës, ka ekzistuar, dhe ku pothuajse çdo qytetar është informuar për masën.
“I treguam (Borrellit v.j) se mund ta diskutojmë pastaj mundësinë e shtyrjes edhe për një muaj që të akomodohet kjo brengë e tij, ndërkaq për dokumentin hyrje/dalje kemi treguar që në fakt nuk kemi nevojë për fushatë informuese meqë kjo masë nuk u vendoset qytetarëve të Kosovës, por u vendoset qytetarëve të Serbisë që futen në Kosovë dhe nuk ka nevojë për kurrfarë masa përgatitore nga këta qytetarë, meqë ata nuk duhet të tregojnë diçka apo të japin diçka për dorëzim, por marrin dokument, që do të thotë serbet e veriut nuk preken nga ky vendim”.
Bislimi shpjegon se Brukseli zyrtar ka pasur krejtësisht brengë artificiale. “Mirëpo siç duket zoti Borrell nuk ka qenë i kënaqur me këtë përgjigje dhe pastaj kemi pasur vizitë nga Hovenier, që unë mendoj që ka qenë vizitë shume qëllim mirë dhe ka dashur që ta zbehë ketë angazhimin jo parimor të Bashkimit Evropian. Aty është thanë që në asnjë rast, bashkësia ndërkombëtarë nuk kërkon rishikimin e masave”, shpjegon Bislimi në RTK.
“Bashkësia ndërkombëtare është plotësisht e vetëdijshme që Kosova plotësisht ka të drejtë dhe është duke zbatuar masat që veç kanë qenë të dakorduara, që Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e saj në këtë rast, por që duhet t’i marrim edhe argumentin e fundit të palës serbe për rezistencë pasive”.
Duke shpjeguar këtë pjesë, Bislimi thotë se kur flitet për palën serbe, duhet bërë dallimin që të gjitha trazirat të cilat Vuçiq i inskenon, nëpër vendet e rajonit, i maskon nën idenë e revoltave të qytetarëve lokal.
“Tanimë është bërë e ditur për secilin që nuk ka revolta të qytetarëve lokal, por janë revolta të inskenuara dhe të orkestruara nga vet qendra në Beograd dhe nga vet Vuçiq”, thotë Bislimi, sipas të cilit, gjithashtu është kërkuar kjo periudhe 30 ditore, në mënyrë që pastaj edhe qytetarët në veri të Kosovës të informohen saktë për manipulimet dhe instrumentalizimin që Beogradi po u bën atyre.
“Për informim të plotë, Borrell ka dërguar një shkresë në mëngjes pak para nisjes së tij për në Kamboxhia, por ne kemi thënë që kjo shkresë që dërgohet përmes mjeteve të komunikimit jo zyrtare, duhet të zyrtarizohet, pra duhet të vijë në mënyrë zyrtare”, shpjegon zëvendëskryeministri Bislimi.
“Por pastaj kemi vërejtur diçka të çuditshme. Ka pasur dallime të mëdha mes formulimeve në shkresën e parë (jo zyrtare v.j) dhe letrës zyrtare që e ka dërguar zoti Borrell”, thotë Bislimi.
“Ne kemi një indice se pse ka ndodhë kjo, por ne do ta përdorim në momente të caktuara gjatë bisedimeve në Bruksel”.
Më tej ai thotë se ky gabim mund të përkthehet ndoshta në një avantazh të Kosovës, pastaj në momente të caktuara.
Bislimi thotë se nga ky komunikim, nuk pasur më kontakte me Brukselin, përveç takimit që ka pasur kryeministri Kurti me Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Ka mundësi që kërkesa për impenjim edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ardhur pastaj nga Brukseli, por këtë ne nuk e dimë”, thotë Bislimi./RTK