Bislimi: Kosova është ndër vendet më demokratike në rajon

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova i takon Bashkimit Evropian dhe se çdo vend demokratik brenda BE-së, e di se Kosova është ndër vendet më demokratike në rajon.

“I jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Kemi qenë të angazhuar edhe në planin e rritjes të Komisionit Evropian. Progresi demokratik nënkupton anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka asnjë problem teknik qe Kosovës t’i dërgohet pyetësori. Mosnjohja nga pesë shtetet nuk ka qenë problem për vendimin për vizat. Institucionet do jenë te gatshme t’i përgjigjen këtij pyetësori. Çdo vend demokratik brenda BE e di se Kosova është një ndër vendet më demokratike në rajon”- ka thënë ai në takimin e 11-të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, të mbajtur më 26.03.2024.

Përgjigja e BE- së dhe e NATO-s ndaj kërcënimeve që i janë bërë Kosovës, sipas tij, ka qenë shumë e qartë.

Kosova, sipas Bislimit, i vlerëson rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kemi qenë vazhdimisht të angazhuar në Procesin e Berlinit. Përkundër të gjitha vështirësive, Kosova sërish ka bërë progres”- ka thënë tutje ai.

Këshilli i Evropës i themeluar më 1949  është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.