Presidenti i SHBA-së, Joe Biden - Foto: White House

Biden i kërkon kryeministrit izraelit që të mbrojë të zhvendosurit në Rafah

Izraeli nuk duhet të kryejë asnjë operacion ushtarak në qytetin me popullsi të dendur Rafah, në Gazë, pa “një plan të besueshëm dhe të zbatueshëm” për mbrojtjen e civilëve, i tha presidenti amerikan, Joe Biden kryeministrit izraelit të dielën, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Kjo është gjuha më e vendosur që ka përdorur presidenti Biden mbi ndërhyrjen e mundshme.

Telefonata e presidentit Biden me kryeministrin Netanyahu u zhvillua disa ditë pasi udhëheqësi amerikan u tha gazetarëve se ndërhyrja e Izraelit në rajonin palestinez të Gazës ishte “e tepruar” dhe bëri thirrje për të ndërmarrë hapa “urgjentë dhe të posaçëm” për të forcuar ndihmën humanitare për palestinezët në rajon.

Shtëpia e Bardhë tha se biseda telefonike u përqëndrua gjithashtu në përpjekjet e vazhdueshme për të bërë të mundur lirimin e pengjeve të marra nga grupi Hamas gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.

Shtëpia e Bardhë shtoi se dy udhëheqësit ranë dakord që të vazhdonin të qëndronin në komunikim të ngushtë.

Televizioni izraelit Kanali 13 tha se biseda zgjati 45 minuta.

Agjencitë e ndihmave thonë se një ndërhyrje në Rafah do të ishte katastrofike./ VOA