Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besian Mustafa: Për 4 vjet do ta rrisim sipërfaqen e tokave të përfshira me ujitje nga 20 mijë në 40 mijë hektarë

Në #DebatPernime, kandidati për deputet, Besian Mustafa dha zotimet e tij dhe të LDK-së për energjinë, bujqësinë e ambientin.

Premtimet dhe zotimet e LDK-së do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

Besian Mustafa, i cili është aktualisht edhe ministër në detyrë i bujqësisë tha se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta rris buxhetin në grante dhe subvencione dhe ato do të jepen në bazë të prodhimit dhe jo sipërfaqes siç është praktikuar deri më tash.

“Do ta rrisim buxhetin në grante dhe subvencione duke e ndërruar dhënien e tyre nga sipërfaqja në prodhim dhe do të përdorim imazhe satelitore për të monitoruar. Ne do ta vazhdojmë master planin për ujitje, i cili ka filluar në qeverisjen tonë”, tha Mustafa.

Tutje Mustafa tha se prodhimet e Kosovës janë ndër më cilësoret në tregun e jashtëm, ndërsa ka shtuar se do ta rrisin sipërfaqen e tokave të përfshira në sistem të ujitjes.

“Brenda mandatit 4 vjeçar do ta rrisim sipërfaqen e tokave nën ujitje nga 20 mijë në 40 mijë hektarë. Së bashku me Bankën Botërore kemi filluar këtë projekt të madh për ujitjen”, ka shtuar Mustafa.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK dhe Hajrullah Çeku nga LVV, të cilët do të flasin për ‘energji, bujqësi dhe ambient’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.