Një qytetare në Tiranë duke qarkulluar me maskë më 15 tetor 2020. Shqiptarët paguan shtrenjtë për maska dhe dezinfektues duarsh, njoftoi Autoriteti i Konkurrencës. Foto: LSA

BERZH: Ekonomia në Shqipëri do të rritet me 8 %

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rritur ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë, nga 4.5 në 8%.

Ky rishikim vjen në linjë edhe me ato të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë vlerësuar se rimëkëmbja ekonomike e vendit do të jetë më e fortë seç ishte parashikuar. Nga krahu tjetër BERZH ka rishikuar dhe rritjen e vitit 2022, e cila nga parashikimi fillestar prej 4% është ulur në 3.7%.

BERZH në raportin e saj thekson se konsumi në Shqipëri është rritur për shkak të remitancave, parave që dërgohen nga diaspora, ndërsa shprehet se rritja e çmimeve në vend, që ndikojnë në inflacion vazhdojnë të mbeten nën objektivin e Bankës Qendrore. Gjithashtu Rindërtimi dhe emetimi i eurobondit në fund të vitit pritet t’i japin një shtysë të re ekonomisë së vendit.

Në rajon Shqipëria projektohet të jetë ekonomia e dytë në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe, pas Malit të Zi, ku rritja projektohet mbi 12%. Sa i përket Kosovës, parashikimet flasin për një normë rritje pranë 7.7% këtë vit, dhe 4.5% vitin e ardhshëm.
INSTAT ka raportuar se dy sektorët që dhanë kontributin më të madh në rritje në tremujorin e dytë kanë qenë pikërisht Ndërtimi dhe Industria nxjerrëse dhe Përpunuese, transmeton Top Channel.

Edhe pse me rritje të lartë ekonomike, Shqipëria ka rritur ndjeshëm borxhin e saj publik, me nivelin që ka arritur pranë 78% sipas Ministrisë së Financave. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se rritja e çmimeve të produkteve dhe kriza energjitike mund të ndikojë në rritjen mbi objektiv të inflacionit, gjë e cila do të ngadalësonte rimëkëmbjen ekonomike.

Rritja Ekonomike 2021

Fillestare 4.5%
Rishikuar 8%*
Burimi: BERZH

Rritja Ekonomike (Ballkani Perëndimor)
Mali i Zi 12%
Shqipëria 8%
Kosova 7.7 %
Serbia 6.5%
Bosnja 4.5%
Maqedonia 4.0 %
Burimi: BERZH