‘Befasia’ ndalon kontrabandimin e 86 palë pantallonave

Policia e Kosovës ka kapur 86 palë pantallona, që dyshoheshin se kontrabandoheshin nga Bosnje e Hercegovina për në Kosovë.

Sipas njoftimit të Policisë, kapja në flagrancë është bërë gjatë ditës së sotme në Pikën Kufitare Jarinje, dhe malli i dyshuar kontrabandues, është gjetur në një autobus që qarkullonte në relacionin Novi Pazar – Prishtinë.

Pas dyshimeve të bazuara që kishte Policia, autobusi është dërguar në vijën e dytë të kontrollit gjatë së cilit, në një hapësirë të fshehur në bagazh, është gjetur mall i padeklaruar: 86 palë pantallona.

“I dyshuari së bashku me mallin e kontrabanduar janë ndalur në terminalin doganor për procedim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, e cila kishte informacione paraprake për rastin.

“Kontrabandimi, është zbuluar gjatë zbatimit të Planit Operativ ‘Befasia’ nga Njësia Policore e Hetimeve dhe Inteligjencës së Drejtorisë Rajonale Veriu të Policisë Kufitare”, saktëson komunikata policore, në të cilën bëhet me dije po ashtu se për rastin është njoftuar Prokurori i cili ka autorizuar inicimin e rastit si ‘kontrabandë me mallra’.