Viola Von Cramon

BE-ja mbetet rruga më e drejtë e Kosovës drejt një paqeje me Serbinë

 

Institucionet e Europës janë mënyra më e mirë për të siguruar një Kosovë më të drejtë dhe të gjelbër, ndërsa një BE e gatshme për të treguar lidership në dialog është rruga më e sigurt për stabilitetin, thotë raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën Viola von Cramon.

Shkruan: Viola von Cramon

Më 9 maj ne festojmë Ditën e Europës, ditëlindjen e BE-së dhe përvjetorin e deklaratës së Ministrit të Jashtëm francez Robert Schuman në 1950 ku thuhej se prodhimi i qymyrit dhe çelikut nga ana e Francës dhe Gjermanisë Perëndimore duhet të vihet nën një autoritet të përbashkët.

Kjo ditë shënohet gjerësisht në të gjithë kontinentin, mirëpo është festë publike në vetëm një vend, një vend i cili nuk është ende anëtar i Bashkimit Europian, por që është goxha shumë pjesë e Europës: Kosova.

Premtimet e Kosovës për tu bërë një vend i prosperuar, demokratik, i qëndrueshëm për popullin e saj kërkon ende një rrugë të gjatë. Sidoqoftë, duhet të pranohet edhe rrugëtimi i gjatë që vendi ka pësuar gjatë dekadës së kaluar, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë në 2008.

Të qenit aleat i BE-së mund ta ndihmojë Kosovën të vazhdojë tutje në këtë rrugë, dhe shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë e dëshirojnë anëtarësimin e shtetit të tyre në BE. E kaluara e Kosovës është në Europë, e tashmja është në Europë dhe e ardhmja e saj duhet të jetë gjithashtu në Europë.

Barra e madhe legjislative e BE-së është paksa e vështirë për tu adoptuar. Sidoqoftë, BE-ja mund të ndihet krenare për një numër fushash legjislative të cilat shpesh janë përdorur si modele në vendet e tjera, dhe ofrojnë mbrojtjen ndër më të mirat të të drejtave të punëtorëve si dhe mirëqenies së kafshëve, mes fushave të tjera.

Miratimi i këtyre reformave shpesh mbart me vete kosto të larta sociale dhe ekonomike, megjithatë përfitimet e anëtarësimit në BE janë të qarta. Është premtimi i një Europë që ka një fuqi transformuese, por vetëm institucionet e BE-së mund të sigurojnë që vendet e saj partnere dhe vendet anëtare janë të përgjegjshme dhe mund ta arrijnë këtë premtim.

Kjo është një punë të cilën institucionet e Europës duhet ta bëjnë çdo ditë, sepse shumë shpesh ndodh që hasim në qeveri, brenda dhe jashtë Bashkimit, jo të gatshme për të luajtur sipas rregullave, të cilët duan ti gëzojnë përfitimet e anëtarësimit në BE pa ndonjë shpenzim nga ana e tyre. Dështimi në implementimin e legjislacionit Europian rezulton në institucione shtetërore fasadë, të tilla që nuk ofrojnë përfitime të anëtarësimit në BE për qytetarët e saj.

Ndonjëherë, këto reforma nuk zbatohen për shkak të kornizave të dobëta institucionale të BE-së. Nëse marrim si shembull cilësinë e ajrit, çdo shtet në Ballkanin Perëndimor ka nënshkruar traktatin e Komunitetit të Energjisë, por në thelb asnjë prej tyre nuk i ndjek rregullat për të cilat janë zotuar.

Në raste si ky, BE-ja duhet të ndryshojë kornizën e saj institucionale në mënyrë që të bëjë të mundur vendosjen e gjobave për vendet kandidate që nuk i respektojnë rregullat. BE duhet të përdorë shkopinjtë (ndëshkimin) e saj kur bëhet fjalë për të bashkëpunuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, e jo vetëm karotën (shpërblimet).

BE gjithashtu duhet ti përmbahet marrëveshjes së saj, dhe mungesa e vullnetit politik nga disa shtete anëtare shpesh ka shkaktuar dëm për reputacionin dhe besueshmërinë e BE-së. Qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë sagën e liberalizimit të vizave, dhe mos përmbushja e premtimeve tona në lidhje me këtë është turpëruese.

Kosova ka përmbushur detyrat e saja të shtëpisë. Ju keni pritur për dy vjet që ne të ofrojmë liberalizimin e vizave. Unë e kuptoj rrezikun që ju e ndieni: Nëse BE-ja nuk e mban këtë premtim, si mund të garantojë që nuk do ta bëjë të njëjtën gjë edhe në  të ardhshmen?

Sa i përket çështjes afatgjatë me Serbinë, përsëri është BE që mund të sjellë stabilitet dhe paqe në planin afatgjatë. BE e ka filluar ekzistencën e saj si një projekt për të siguruar paqen në kontinentin europian pas Luftës së Dytë Botërore dhe në thelb vazhdon të jetë një projekt paqeje midis shteteve.

Stabiliteti afatgjatë dhe paqja afatgjatë në kontinentin tonë nuk janë të mundshme pa një stabilitet dhe paqe në Ballkan. Sidoqoftë, stabiliteti rajonal ka kuptim vetëm nëse i shërben popujve që jetojnë në këto vende. Kjo kërkon kompromis nga të dy palët dhe do të arrihet vetëm nëse ndërmerren hapat të shumtë fillestarë, ndonjëherë shumë të vegjël.

Ne duhet të zgjidhim çështjen e njohjes së Kosovës, dhe është premtimi për anëtarësimin e saj në BE, është shkopi (ndëshkimet) dhe karota (shpërblimet), që i stimulojnë këto bisedime. Nëse që të dyja, Serbia dhe Kosova, pretendojnë se duan të anëtarësohen në BE, ato duhet të bëjnë hapa drejt këtij qëllimi. Nëse udhëheqësit e tyre politikë e braktisin këtë qëllim, këtë rrugë, ata do ta braktisin të ardhmen të cilën shumica e qytetarëve të tyre dëshirojnë ta arrijnë.

Nga ana jonë, nuk mjafton që BE të dëgjojë dhe lehtësojë dialogun. Ne duhet të ndërmarrim iniciativën dhe të bëjmë të qartë pozicionin dhe interesat e BE-së. Ndërmjetësimi në këtë proces nuk është i mjaftueshëm, tani për tani BE duhet të tregojë lidership në Ballkanin Perëndimor.

Për një dialog të suksesshëm, i cili shkon në interes të Beogradit, Prishtinës dhe Brukselit, rregullat duhet të përcaktohen paraprakisht. Duhet, po ashtu, të tërheqim linja të kuqe: Ne nuk e pranojmë ndonjë shkëmbim territorial si pjesë e ndonjë marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Roli i Shteteve të Bashkuara është gjithashtu akoma thelbësor në këtë rajon. Fuqia e saj ushtarake mund të jetë një garanci për stabilitet, dhe ne vetëm mund të shpresojmë se Shtëpia e Bardhë është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka.

Fuqia ekonomike e SH.B.A.-së është gjithashtu larg nga të qenit e papërfillshme, dhe  ajo i duhet Kosovës si aleat. Megjithatë, qytetarët  e Kosovës nuk po kërkojnë t’i bashkëngjiten SHBA-ve si një shtet i saj i 51-të. Ata duan të anëtarësohen në BE.

Jetesa në vendet anëtare të BE-së nuk është gjithmonë e ndritshme dhe e shkëlqyer, dhe institucionet e Bashkimit Europian nuk janë aspak perfekte. Në fakt, vendimmarrja është zakonisht e ngadaltë dhe tepër e ndërlikuar.

Sidoqoftë, BE i ka përmbushur shumë nga premtimet e saja dhënë qytetarëve të saj në të kaluarën, dhe nëse i kthehemi prapa ditës së deklaratës së Schuman, ne kemi arritur shumë sukses. Nëse Kosova vazhdon në përkushtimin e saj ndaj BE-së, unë shpresoj se mund ta ndihmojmë në përmbushjen e premtimeve për një Kosove të prosperuar dhe demokratike, pritje këto që mund të përmbushen vetëm nga BE.