Foto ilustruese nga bastisjet e policise Foto: KALLXO.com

Bastisje në fshatin Cernicë të Gjilanit për organizim të lojërave të fatit

Një lokal dhe disa objekte përcjellëse kanë qenë cak i bastisjeve të ditës së djeshme në fshatin Cërnicë të Komunës së Gjilanit.

Një person është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Arsyeja e bastisjeve ka qenë organizimi i lojërave të fatit. Këto lojëra me anë të një ligji i cili është votuar në Kuvendin e Kosovës janë të paligjshme dhe të dënueshme.

Policia e Rajonit të Gjilanit ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 21:00, njësiti i hetimeve dhe njësitet e stacionit policor të Gjilanit me urdhër të lëshuar nga Gjyqtari i procedurës paraprake kanë realizuar bastisje, në lokalin dhe objektet përcjellëse të personit të dyshuar me banim në fshatin Cërnicë të Komunës së Gjilanit.

Në lokalin e të dyshuarit, dyshohej se zhvilloheshin lojërat e fatit.

“Gjatë bastisjes janë gjetë dhe konfiskuar disa mjete pajisje elektronike të cilat dyshohet se janë përdorur për t’u luajtur lojërat e fatit nga klientët e kësaj bastore ilegale si dhe të holla rreth 42.10€”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rajonit të Gjilanit.